PBDNJ-PDU, duel i ashpër në Parlament
Seanca e fundit e Parlamentit shqiptar për vitin 2009 është shoqëruar me një përplasje të ashpër ndërmjet kreut të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vasil Dule, dhe deputetëve të Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Dashamir Tahiri dhe Shpëtim Idrizi. Përplasje që ka rritur tensionin dhe e ka detyruar kryeparlamentaren Topalli të ndërpresë seancën. Gjatë pjesës së diskutimeve të lira në seancën e djeshme të Kuvendit, e ka marrë fjalën deputeti Dashamir Tahiri, i cili ka akuzuar Dulen se "Ky njeri që nuk njeh gjenocidin, vrasjen, përdhunimin dhe shpërnguljen me forcë të mijëra vetëve e na deklarohet kryetar i një Partie të të Drejtave të Njeriut". Në fjalën e tij, deputeti i PDU, tha se "të drejtat e kujt promovon ky njeri kur ato më themeloret i dukërkan fantazmë. Z. Dule ka provokuar, sulmuar, ofenduar 300.000 mijë shqiptarë dhe për këtë ai s‘mund të kalojë pa kërkuar falje zyrtare. Ai nuk mund ta kalojë aq lehtë, sepse ky është antishqiptarizmi më i madh i këtij burri që paturpësisht ulet këtu mes nesh në Parlamentin shqiptar. Askush brenda popullit shqiptar, më shumë se çamët nuk e kërkon integrimin europian. Dule, ngulite këtë në mendjen tënde. Askush më shumë se komuniteti çam nuk kërkon marrëdhënie të mira në shtetin grek".
Pas Tahirit e ka marrë fjalën kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili i është përgjigjur ashpër Tahirit: "Disa politikanë kanë sot e kësaj dite kurajën të protestojnë përpara selisë së BE-së me sloganin të mos integrohet vendi ynë në Bashkimin Europian. Nëse nuk është e vërtetë le të përgënjeshtrojnë, le të pranojnë gabimin e bërë, le t‘i kërkojnë ndjesë popullit shqiptar dhe çdo gjë është në rregull, kjo është demokracia. E kuptoj ankthin e zotërinjve se kanë një parti të re, e cila nuk mund të mbledhë vota duke shpallur armik Vangjel Dulen e PBDNJ-në". Pas fjalës së Dules ka kërkuar të diskutojë edhe kreu i PDU-së, Shpëtim Idrizi, por nuk është lejuar nga nënkryetari i Kuvendit, Ardian Turku. Por Idrizi ka arritur ta marrë fjalën pas disa minutash, ku i është kundërpërgjigjur ashpër kreut të partisë që mbron të drejtat e minoriteteve në Shqipëri. Kreu i PDU-së tha se
"Komuniteti çam dhe ai grek janë vërtet figura të bashkëpunimit të sinqertë. Ju keni thënë se nuk kemi asnjë gjë personale, por po të them se e kam personale me ty dhe pse? Ke abuzuar publikisht me protestën që PDU ka bërë bashkë me Klubin e Patriotëve të Rinj.
Është e vërtetë që qarqe të caktuara antishqiptare janë munduar ta fshehin këtë çështje. Por ne jemi 300 mijë qytetarë çamë që nuk ndodhemi rastësisht këtu. Zoti Dule, unë shtëpinë time e kam në Margëlliç, ndërkohë që ti rrije në kasolle". Idrizi i ka bërë thirrje Partisë Socialiste që të mbajë qëndrim pas deklaratës së Dules, i cili është në koalicionin opozitar. "Kam veshur fanellën e shtëpisë time, familjes time, komunitetit tim dhe të shqiptarëve ndërsa ti ke veshur fanellën e renegatëve. Po të them edhe një herë mos na provoko zoti Dule. Minoriteti grek kishte një kryetar si Valis Melo i cili merrte 40 mijë vota dhe shih si je katandisur pasi nuk të voton as minoriteti". Pas fjalës së kreut të PDU ka kërkuar të reagojë sërish kundër Dules dhe deputeti Dashamir Tahiri, i cili është ngritur i revoltuar nga karrigia e tij. Kryetarja e Kuvendit ka ndërprerë për pak sekonda seancën duke parandaluar një incident të mundshëm.
Y.Pata