Fund viti mbyll tenderimin e Gjykates Administrative ne Tirane

Brenda këtij viti do të përfundojë tenderimi i Gjykatës Administrative të shkallës së parë dhe asaj të Apelit në Tiranë. Ndërkaq në janar apo shkurt të vitit të ardhshëm pritet të saktësohet proçedura e fillimit të funksionimit të Gjykatave Administrative.
“Gjykata administrative e Tiranës është në proces tenderimi nga zyra e administrimit të buxhetit gjyqësor dhe sipas parashikimeve pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti. Po ashtu edhe Gjykata e Apelit Administrativ për Tiranën. Ndërkohë që do të rishikohet edhe vendosja e 5 gjykatave të tjera për hapësirat përkatëse dhe unë gjykoj ashtu siç deklarova dhe në Komisionin e Ligjeve që fillimi i vitit të ardhshëm janari apo shkurti të saktësojë edhe proçedurën e fillimit të funksionimit të Gjykatave Administrative, por kjo është pjesë e infrastrukturës”, vlerësoi ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi, gjatë një prononcimi për shtyp.
Trupa gjyqësore administrative do të jetë nga gjyqtarët që janë aktualisht në detyrë dhe përzgjedhja e gjyqtarëve do të bëhet në bazë të vlerësimit të provimit që do t’i nënshtrohen gjyqtarët që do të shprehin dëshirën për të qenë pjesë e këtyre gjykatave.
“Drafti që kalon në parlament ka të bëjë me krijimin e trupës gjyqësore të Gjykatës Administrative e cila do të jetë nga gjyqtarë që janë aktualisht në detyrë, pra nuk do të ketë prurje të reja nga gjyqësori apo jashtë gjyqësorit, por do të jenë gjyqtarët që janë aktualisht të cilët do të shprehin dëshirën për t’u bërë pjesë e Gjykatës Administrative do t’i nënshtrohen një provimi dhe vetëm në bazë të vlerësimit të provimit ata do të marrin emërimin”, u shpreh Halimi.
Minsitri i Drejtësisë, Eduard Halimi për mikrofonin e ABC News tha se gjithçka do të bëhet me paratë e taksapaguesve shqiptarë pasi bojkoti që opozita i bëri projektit ligjit për Gjykatat Administrative për tre vite dogji fondin e USAID.
“Sigurisht jemi pak të vonuar në proces sepse 2 vjet opozita nuk pranoi të ulej për të diskutuar dhe ajo që është më problemtikja është çështja që ne kemi humbur 17 milionë dollarë nga USAID për ndërtimin e këtyre gjykatave. Këto gjykata do të bëhen me paratë e taksapaguesve shqiptarë sepse 17 mln dollarë u dogjën pa asnjë arsye, që kishin të bënin më ndërtimin e tyre, trajnimin e gjyqtarëve pqër të vetmen arsye se nuk u ulëm që para dy vjetësh që ta diskutonim, tre vjetëve më saktë. Po të kishim diskutuar sigurisht nuk do të harxhonim lekët e taksapaguesve shqiptarë për të ndërtuar gjykatat sepse ishin fondet e USAID”, vuri në dukje ministri Halimi.