Fundi i Mitt Romneyt?

Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Mitt Romney, po përballet me telashe të reja.
Në një video që ka dalë në publik, Romney është kapur duke u thënë donatorëve të pasur se “pothuajse gjysma e amerikanëve besojnë se janë viktima”.
“Janë 47 për qind e qytetarëve që do të votojnë për presidentin. Janë 47 për qind që mbështesin atë, që janë të varur nga qeveria, që besojnë se janë viktima, që besojnë se qeveria ka përgjegjësi për t’u kujdesur për ta, që besojnë se kanë të drejtë në kujdesin shëndetësor e të tjerë”, ka thënë Romney.
Sipas tij, 47 për qind e amerikanëve nuk paguajnë as tatime në të ardhura. Dhe si kandidat për Shtëpinë e Bardhë, Romney ka thënë se “nuk është punë e tij të shqetësohet për këta njerëz”.
“Nuk është puna ime që të shqetësohem për këta njerëz. Unë kurrë nuk do t’i bind ata se duhet të marrin përgjegjësi personale dhe të kenë kujdes për jetët e tyre”, ka thënë ish-guvernatori i Massachusetsit.
Fushata e presidentit Barack Obama ka marrë menjëherë videon nga revista “Mother Jones” dhe e ka bërë publike, në ditën kur bashkëpunëtorët e Romneyt kanë pranuar se kanë nevojë për një ndryshim të strategjisë së fushatës, për të nxitur vrull në garën presidenciale.
Në konferencën për gazetarë, Romney nuk ka kontestuar vërtetësinë e filmimit të fshehur. Ai ka bërë përpjekje të sqarojë deklaratat e tij, por nuk ka kërkuar falje.
“Presidenti beson në atë që unë e kam përshkruar si shoqëri të qeverisë, ku qeveria luan rol shumë të madh, kujdeset për shumë nevoja të individëve. Ndërsa, unë besoj në nisma të lira, në shoqëri të lirë individuale, ku njerëzit që ndjekin ëndrrat e tyre janë në gjendje të punësojnë njëri-tjetrin, të ndërtojnë ekonominë më të fortë në botë”, ka thënë Romney.
Kandidati republikan, përkundër kësaj, ka pranuar se komentet e tij “nuk kanë qenë elegante”.
“Kam folur spontanisht në përgjigje të një pyetjeje. Jam i sigurt se mund ta them në mënyrë më të qartë dhe më efektive. Natyrisht se dua të ndihmoj të gjithë amerikanët. Të gjithë amerikanët kanë një të ardhme të ndritur dhe prosperuese”, ka thënë Romney.
Revista “Mother Jones” ka sqaruar se filmimi ka ardhur nga Florida, duke ruajtur identitetin e autorit.
Ndërkohë, mediet më prestigjioze amerikane kanë filluar me parashikimet se ky gaf mund të jetë edhe fundi i ambicieve të Romneyt për të mposhtur Barack Obamën në zgjedhjet e 6 nëntorit.
Për një kohë të gjatë, gara mes Obamas dhe Romneyt ishte mjaft e ngushtë, por tani, 50 ditë para zgjedhjeve, presidenti aktual kryeson në anketa.
Gazeta “New York Times”, pas publikimit të videos me deklaratën e Romneyt, theksoi se është e saktë se 47 për qind e amerikanëve nuk paguajnë të ardhura në tatim, por shtoi se nuk bëhet fjalë për njerëz që synojnë të jetojnë në kurriz të qeverisë, siç i quajti Romney, por se bëhet fjalë për familje me të ardhura të ulëta.
Xhirimi i fshehtë me gjasë ka gëzuar tej mase taborin e Barack Obamës. Ka tashmë disa javë që strategët e presidentit po tentojnë të paraqesin Romneyn si një njeri, i cili nuk brengoset fare për brengat e klasës së mesme. Menaxheri i fushatës së demokratëve, Jim Messina, e cilësoi si shokuese këtë deklaratë të Romneyt. “Është vështirë t’i shërbesh Romneyt si president të SHBA-së, kur ai ka hequr dorë nga gjysma e popullatës së SHBA-së”, theksoi Messina.
Problemet e Romneyt filluan në fund të korrikut, kur ai bëri disa gafe gjatë vizitave të tij në Britani, Izrael dhe Poloni. Ai nuk arriti të bindë votuesit as në Konventën Kombëtare të republikanëve, e cila u zhvillua në fund të gushtit. Disa medie njoftuan gjatë fundjavës se ka grindje të mëdha edhe në mesin e strategëve të fushatës së Romneyt.
Romney, i cili fushatën e tij e ka bazuar në ekonominë e dobët të SHBA-së, nuk arriti të përfitojë as nga niveli i lartë i papunësisë në SHBA, e as nga protestat e fundit në botën myslimane kundër SHBA-së, në shenjë proteste kundër një filmi që fyen Profetin Muhamed.
Romney ka shtatë javë në dispozicion, për të bindur amerikanët për aftësitë e tij udhëheqëse. Këtë mund ta bëjë gjatë tri debateve të drejtpërdrejta televizive me Obamën. Megjithatë, edhe përkundër dëshpërimit të shumë amerikanëve për shkak të politikave të Obamas, tani Romney gjithnjë e më tepër po përballet me pyetjen: A është ai fare i aftë që të ushtrojë funksionin e presidentit të shtetit më të fuqishëm në botë?