Fundi i UD’ve

Tash e dy vjet, shumica e dikastereve të Qeverisë së Kosovës funksionojnë me ushtrues detyre (U.D.) të sekretarëve permanentë.
Shkurtesa U.D. është bërë në Kosovë sinonim i zyrtarëve të lartë civilë që në mungesë të Ligjit për Shërbimin Civil nuk zgjidhen me konkurs, por përzgjidhen nga ministrat, sipas preferencave politike.
Kjo gjendje do të vazhdojë së paku edhe në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, derisa të hyjë në fuqi Ligji për Shërbimin Civil, i cili muaj më parë është miratuar në parim dhe tani pret leximin e dytë nga deputetët dhe miratimin e plotë. Hyrja në fuqi e këtij ligji do t’i hapte rrugë formimit të Komisionit për Emërime të Larta Publike (KELP), organit më të lartë për zgjedhjen me konkurs të sekretarëve permanentë dhe zyrtarëve të lartë civilë, siç parasheh ligji.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha të martën për Express se edhe në Qeveri janë kundër mënyrës së funksionimit të ministrive me ushtrues detyre të sekretarëve permanentë, por sipas tij, rrethanat janë krijuar ashtu në Kosovë pas pavarësimit të vendit që kanë bërë të pamundur deri tani zgjidhjen e këtij problemi.
“Tani shpresojmë se Projektligji do të miratohet dhe do ta bëjmë zgjidhjen më adekuate të mundur. Njëkohësisht jemi të bindur që me miratimin e këtij Projektligji për Shërbimin Civil, gjëra të tilla nuk do të përsëriten, ngase tani kemi bazën juridike mbi të cilën mund të punojmë”, tha ai.
Hyrja në fuqi e Ligjit për Shërbimin Civil dhe zgjedhja e sekretarëve permanentë nga KELP’ja, do t’i lërë pa punë ushtruesit e detyrës së sekretarëve permanentë, të cilët para një viti u avancuan në këto detyra nga drejtorë të departamenteve. Ata po ashtu, nuk mund të kthehen në detyrat e mëhershme nga ku janë avancuar.
“Ata që aktualisht janë ushtrues detyre nuk mund të kthehen në detyrat e mëhershme ku kanë qenë. Ata mund të konkurrojnë për t’u bërë sekretarë, por përzgjedhjen tani e bën KELP’ja. Tani me hyrjen e ligjit në fuqi duhet respektuar konkursi dhe s’ka më emërime nga ministrat”, tha Kuçi.
Sekretari Permanent i Qeverisë, Fitim Krasniqi, tha të martën për Express se Projektligji për Shërbimin Civil, i cili pritet të miratohet nga Kuvendi në muajt në vijim, e përcakton qartë mënyrën e zgjedhjes së sekretarëve permanentë të ministrive.
“Afërsisht procedura për përzgjedhjen e sekretarëve do të jetë e njëjtë me atë të kaluarën. Ata nuk do të jenë staf politik, por sërish do të mbeten staf civil, të cilët do t’i emërojë Komisioni për Emërime të Larta Publike”, tha ai.
Gjatë kohës së hartimit të Draftligjit për Shërbimin Civil, Ministria e Administratës Publike në koordinim me dikasteret e tjera në Qeveri patën propozuar që sekretarët e ministrive të jenë staf politik, por një propozim të tillë e kishte kundërshtuar Zyra Civile Ndërkombëtare dhe nuk ka kaluar në draftin final të ligjit.
Sekretari Krasniqi tha se me hyrjen në fuqi të këtij ligji do të fillojnë menjëherë procedurat për formimin e KELP’së.
“Sipas këtij ritmi, besoj se në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti, çështja e ushtruesve të detyrës do të zgjidhet njëherë e përgjithmonë”, tha ai.
Kryeministri Hashim Thaçi, i cili udhëheq me KELP’në, gjatë dy viteve sa është Kryeministër, vetëm dy herë ka arritur që ta mbledhë këtë organ.
Prej asaj kohe, ministrat e kabinetit qeveritar filluan t’i shkarkojnë sekretarët permanentë dhe t’i zëvendësojnë me këshilltarët e tyre politikë. Por kur numri i ministrive që vepronin me këtë logjikë u rrit, e shtyri Kryeministrin të ndërhyjë në këtë çështje, duke i shkarkuar sekretarët politikë, për t’i zëvendësuar me staf civil, por prapë si ushtrues detyre të emëruar nga ministrat. Deri para një viti, për shkak të kësaj gjendjeje, për 12 muaj rresht, Qeveria është dashur të paguajë dyfish për postet e sekretarëve, për ata që i ka shkarkuar dhe për ata që i ka emëruar, sepse kështu e parasheh ligji.
Dymbëdhjetë ushtruesit e detyrës së sekretarëve permanentë
Skënder Gashi, u.d. Sekretar i Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit;
Naim Baftiu, u.d. Sekretar i Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave;
Fitim Sadiku, u.d. Sekretar i Ministrisë së Administratës Publike;
Adem Sallauka, u.d. Sekretar i Ministrisë së Arsimit, Shkencës e Teknologjisë;
Hakif Jashari, u.d. Sekretar i Ministrisë së Energjisë dhe Minierave;
Metije Ademi, u.d. Sekretare e Ministrisë e Drejtësisë;
Muhamet Rudari, u.d. Sekretar i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë;
Haxhi Kamberi, u.d. Sekretar i Ministrisë së Shëndetësisë;
Sebahate Muharremi, u.d. Sekretare e Ministrisë së Punëve të Brendshme;
Fitim Gllareva, u.d. Sekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme;
Arben Çitaku, u.d. Sekretar i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit hapësinor;
Zana Kotorri, u.d. Sekretare e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.