PS akuza Priftit për keqmenaxhimin hidrik
06/01/2010 PS: Prifti të kërkojë falje për keqmenaxhimin hidrik
Kushtet klimaterike
Partia Socialiste nuk kurseu dje tonet kritike ndaj ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti. Zëdhënësja për shtyp e PS-së, Armela Imeraj, referuar deklaratës së bërë dje nga vetë ministri Prifti, u shpreh se “nuk i takonte Dritan Priftit të dilte në publik e të akuzonte opozitën. Ai mund të bëjë vetëm një gjë: t’u kërkojë ndjesë shqiptarëve, t’u kërkojë ndjesë gjithë atyre familjeve që sot u duhet të lënë në mëshirën e fatit banesat e tyre”. Sipas saj, duhet t’u kërkohet ndjesë të gjithë atyre shqiptarëve që sot duhet të sakrifikojnë prodhimet e tyre bujqësore. “Turp për Dritan Priftin, që gjen kurajën të akuzojë opozitën, teksa është pikërisht opozita që po organizon vullnetarët e saj për t’u ardhur në ndihmë familjeve fatkeqe për shkak të paaftësisë dhe korrupsionit të Dritan Priftit dhe shefit të tij Pinok. Turp për Dritan Priftin, që në harkun kohor të 2 javëve solli shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike dhe përmbytjet për shkak të keqmenaxhimit të rezervave hidrike”, - vlerësoi ajo. Madje, po në këtë linjë, Imeraj shtoi se “ashtu si dy javë më parë, kur akuzonte OSSH-në për rritjen e çmimit të energjisë, edhe sot Dritan Prifti gjeti kurajën të akuzonte OSSH-në për importin e energjisë. Nuk të beson më asnjë shqiptar, zoti Prifti, as ty dhe as Pinokun që ke për shef. Ministër je ti dhe përgjegjësia është jotja”.