Nis rinumërimi i votave të Gjilanit

Pa praninë e asnjë vëzhguesi të LDK-së, zyrtarët e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve (QNR) kanë nisur procesin e “hetimit” dhe të rinumërimit të votave për komunën e Gjilanit.
Prej 127 vendvotimeve sa ka pasur kjo komunë në zgjedhjet e balotazhit për kryetar të Komunës, sot pritet të kontrollohen vetëm 52 sosh. Dita e enjte është pushim, për shkak të Kërshëndellave ortodokse, prandaj procesi do të vazhdojë të premten.
LDK-ja, kandidati i së cilës ka dalë i dyti në Gjilan, ka këmbëngulur që edhe në këtë komunë të përsëriten zgjedhjet, ngjashëm sikur edhe në Prizren e Lipjan.
Nesrin Lushta, kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), nuk ka dashur të komentojë bojkotin e LDK-së, por ka thënë se procesi do të vazhdojë sikur është marrë vendimi me shumicë votash në KQZ.
“Unë nuk kam informacione se ata po e bojkotojnë procesin. Por edhe nëse e bëjnë një gjë të tillë, ne do të vazhdojmë procesin e hetimit dhe të rinumërimit”, tha Lushta.
Procesi i hetimit dhe rinumërimit, që nisi sot në mëngjes, nënkupton kontrollimin dhe krahasimin e të dhënave të formularëve që kanë ardhur pas mbylljes së vendvotimeve nga komisionet komunale zgjedhore.
"Siç po e shihni, ka filluar procesi i rinumërimit të votave të rregullta dhe votave me kusht nga komuna e Gjilanit, të gjitha përgatitjet teknike janë bërë...Do të bëhet procesi i hetimit dhe i rinumërimit, me krijimin e formularëve të rinj atëherë do të krahasohen edhe formularët origjinalë, të cilët na kanë ardhur nga vendvotimet dhe natyrisht shumë më e lehtë dhe shumë më transparente është edhe për vëzhguesit dhe palët e interesuara të shohin ku ka pasur mospërputhje ose përputhje në mes të formularëve”, ka thënë Burim Ahmetaj, koordinator i QNR-së.
KQZ-ja nuk ka përcaktuar ende pragun, një shkallë përqindjeje të parregullsive eventuale, që të merret një vendim për përsëritjen ose jo të zgjedhjeve në Gjilan.