Përmbytjet, Veliaj: Prifti të japë dorëheqjen

G99 i kërkoi sot qeverisë që të kompensojë të gjitha familjet e prekura nga përmbytjet në veri të vendit. "G99 propozon si skemë kompensimi një ndihmë standart prej 10 milion lekësh për secilën familje, kompensimin me 250 mijë lekë për çdo metër katror ndërtim si dhe kompensimin e plotë për të mbjellat dhe gjënë e gjallë", deklaroi kreu i G99, Erjon Veliaj.
Veliaj, kërkoi gjatë një konference për shtyp edhe dorëheqjen e ministrit të Energjitikës Dritan Prifti, duke e akuzuar atë për papërgjegjëshmëri të plotë. "Papërgjegjshmëria e Ministrit Prifti në shkeljen e sigurisë është e mjaftueshme që ai të largohet sa më parë nga qeveria", tha Veliaj.
Sipas tij, situata aktuale në zonat e përmbytura ka ardhur si pasojë e kësaj papërgjegjshmërie dhe e paaftësisë së qeverisë.
Në këtë kontekst, ai i bëri apel Kryeprokurores Ina Rama që të nisë një
hetim në lidhje me menaxhimin e digës në Fierzë, për të kuptuar se çfarë
rregullash të sigurisë janë shkelur dhe për të vënë përgjegjësit para
drejtësisë. "Zonja Ina Rama", tha kreu i G99 gjatë kësaj konference për
shtyp, "duhet të na tregojë se ekziston profesionalisht dhe se është aty
në detyrën e saj, duke nisur një hetim të plotë për këtë ngjarje".