E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fundi i alibisë afatgjatë për “korrupsion me leje” nga SHBA

Ambasadori amerikan në Tiranë, për të cilin raportohet se ka pranuar të zhdukë gjurmët e origjinës së fishekëve kinezë që një kontraktor privat amerikan blinte me paratë e Pentagonit për ushtrinë afgane, u shpreh dje i gatshëm të përballet me hetimin për këtë fakt, duke shprehur sigurinë se ai po studionte deklaratën dhe ishte duke përgatitur përgënjeshtrimin e disa fakteve. Diplomati më i lartë i SHBA në Tiranë në të vërtetë ka qenë një alibi afatgjatë e ministrit Mediu dhe kryeministrit Berisha në këtë histori. Qysh në fillim të shpërthimit të skandalit të Gërdecit, të dy zyrtarët e lartë, Berisha dhe Mediu, e kanë cituar disa herë konsultën e tyre me diplomatët më të lartë të SHBA në Tiranë si një alibi për prapaskenat shqiptare të këtij skandali. Tashmë është e qartë, cila është alibia e tyre.

Në përpjekje për ta rindërtuar këtë skenë, na duhet doemos një dëshmi e zotit Withers, por paraprakisht ne kemi në dorë sjelljet publike të Mediut dhe Berishës për këtë skandal. Në muajin nëntor 2007, pasi një reporter i “New York Times” vizitoi zotin Mediu për të konfirmuar skandalin me armatimin e vjetëruar në Afganistan, të importuar nga Shqipëria, ka pasur një lloj alarmi të qeverisë shqiptare. Skandali fizik i ish-ministrit Mediu me reporterin, marrja me forcë prej tij e kasetës së gazetarit dhe më pas vrapimi i tij në ambasadën amerikane për t’u shfajësuar dhe për të kërkuar ndihmë për të dalë nga situata, janë dhe implikimi i vetëm i ambasadorit Withers në këtë çështje. Mund të mos jetë fort e sigurt, por ajo që besohet më lehtë, është se ambasadori amerikan në Tiranë, ka qenë i udhëzuar ta ndihmonte në mbylljen e skandalit dhe për shkak të raporteve të mira me qeverinë shqiptare, por mënyra se si zyrtarët shqiptarë e kanë përdorur këtë gjest të tij është e pacipë. Që nga 15 marsi në çdo dy-tri fjali ish-ministri Mediu përmendte diplomatët amerikanë, ambasadën amerikane, vërtetime pa lidhje dhënë nga ambasada për kompaninë amerikane dhe gjithçka që kishte lidhje me emrin SHBA. Aq banale u bë kjo, sa ai filloi ta paraqiste veten si një njeri që i ka bërë ndere SHBA me punën e tij si ministër. Ky mentalitet gati prej palaçoje bëri që ai dhe kryeministri t’i propozonin ambasadorit amerikan dhe ndoshta autoriteteve afgane dhënien e armatimeve falas për të mbuluar skandalin. E gjithë kjo u bë nga frika se publikimi i mundshëm i shkrimit në “New York Times”, do t’i bënte ata fajtorë për një korrupsion miliona dollarësh dhe gjesti i faljes së armatimit do t’i lehtësonte ata në opinionin publik. Mediu ka pasur për këtë çështje një takim me kryeministrin Berisha dhe presidentin Topi brenda një dite, ku iu ka kërkuar atyre të ndërmerren masa për të tejkaluar këtë situatë, pasi ai nuk ishte më i gatshëm të përballonte skandalin që mund të lindte nga kjo kontratë. Për këtë arsye, ambasadori amerikan u përdor në një takim në hotel “Sheraton”, në Tiranë si fasadë për të falënderuar qeverinë shqiptare rreth gatishmërisë së saj për t’i dhuruar armë Afganistanit. Por nxitimi ishte i kotë, pasi gazeta “New York Times” nuk e botoi shkrimin menjëherë dhe paniku i tyre filloi të bjerë. Dita-ditës kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes u bën më të sigurt dhe filluan përpjekje qesharake për ta mbyllur skandalin. Situata u bë shumë banale, kur zoti Mediu me kapsllëkun e tij kulturor, e ngatërronte gazetën “New York Times” me ndonjë të përditshme shqiptare dhe filloi të lavdërohej nëpër tavolina se e kishte mbyllur skandalin e botimit me pará. Pak më vonë filloi ta modifikojë arsyetimin dhe thoshte se po e mbyllte skandalin me një mik të fortë në Nju-Jork. Ndërprerja e kontratës së punës së reporterit që raportoi nga Shqipëria për gazetën “New York Times” për arsyet e veta e bën dhe më entuziaste situatën. Berisha i dërgoi një sqarim zyrtar “New York Times”, ndërsa Mediu filloi të krekosej nëpër tavolina se miqtë e tij në SHBA e zbythën gazetarin. Por, redaktori kryesor që drejtonte investigimin, Chris Chivers, shef i zyrës së NYT në Moskë, ishte shumë larg thashethemnajave të kafeneve të Tiranës dhe shumë afër të vërtetës. Ai po priste momentin, kur qeveria amerikanë të niste hetimin ndaj kompanisë për të marrë shkas për botimin e një prej raporteve më të gjata në historinë e gazetës “New York Times”, e cila po trondit ende politikën amerikane dhe atë shqiptare. Vonesa e botimit të shkrimit përjetohej në Tiranë si mbyllje goje. Aq shumë ishte trimëruar Berisha nga kjo vonesë, sa një ditë pas tragjedisë së Gërdecit, ai kishte si argument kryesor faktin se ishte i papërfshirë në këtë skandal, pasi dhe “New York Times”, e cila kishte katër muaj që hetonte për këtë çështje, s’kishte guxuar të shkruante. Këtë fakt ai e përdori dhe për një lloj terrori brenda partisë së tij. Shumë nga bisedat e tij private me ministra të kabinetit nisnin e mbaronin me paranojën se një grup komplotistësh shqiptarë po bashkëpunonin me “New York Times” për të sabotuar futjen e Shqipërisë në NATO. Arsyetimi i tij vulgar kishte një objektiv të qartë, zhvlerësimin e botimit të mundshëm të shkrimit. Kur shkrimi u botua një javë më pas, ai humbi qetësinë dhe krahasoi gazetën me një letër higjienike që nuk i duhej askujt.

Këtu u mbyll makthi i zyrtarëve shqiptarë mbi skandalin e armëve dhe nisi makthi tjetër për skandalin e demontimit, ku familjarë të zotit Berisha dhe rrethit të tij të afërt ishin në krye të punëve, disa zyrtarisht dhe disa jozyrtarisht. Historia e dytë e korrupsionit në Gërdec, e cila prodhoi viktima dhe dëme njerëzore, bashkohet me historinë e parë të trafikut të armëve te një njeri, Mihal Delijorgji. Lidhja reale mes dy historive është fakti se armët që shkonin për demontim transferoheshin për shitje dhe sekserët fitonin dhjetëra fish, pasi shisnin armatime, për të cilat paguheshin që t’i prishnin. Biznesmeni shqiptar, Kosta Trebicka, të cilit i ishte premtuar kontrata e ripaketimit të fishekëve, u nxor nga loja për një arsye të thjeshtë, pasi ai kishte caktuar si repart ripaketimi një vend tjetër dhe jo Gërdecin. Duke qenë se ripaketimi do të bëhej në një vend tjetër, atëherë, Delijorgji dhe ata që qëndronin pas tij, nuk kanë pasur mundësi të bënin bashkimin e dy historive të korrupsionit, të asaj të trafikut të armëve me atë të demontimit. Për këtë arsye Trebicka u la jashtë me dhunë dhe Diveroli u detyrua të pranojë kushtet që i ofruan. Ai pranoi të marrë armët formalisht nga një kompani qipriote fantazmë, por t’i ngarkonte direkt nga Tirana për në Afganistan, duke mos mbajtur përgjegjësi për destinacionin e fundit dhe pranoi të ndërronte kontraktorin e paketimit, të cilit i kishte paguar një shumë të majme paraprakisht. Ky lëshim i madh që ai bëri, është e palogjikshme të mendohet se diktohej nga Mihal Delijorgji. Pa pasur njerëz me pushtet në këtë histori, askush nuk mund t’i impononte një biznesmeni amerikan me kontratë nga Pentagoni në dorë, një ofertë kaq flagrante korrupsioni. Këtu kjo histori fundos shtetin shqiptar. E fundos, pasi është një dëshmi që tregon se, jo vetëm që për Gërdecin nuk kanë mësuar më 15 mars, por që deri më 15 mars janë marrë ditë e natë me Gërdecin, për të mbyllur skandalin e ripaketimit të fishekëve. Fundos shtetin shqiptar, pasi dëshmon se kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes kanë përfshirë ambasadorin amerikan në një fushatë marrëdhëniesh publike për të ndrequr imazhin e një vendi që shet fishekë të skaduar, duke ofruar fishekë të tjerë falas. Cilët janë këta zotër malli të pasurisë shtetërore në Shqipëri, që para ofertës për t’iu shitur me pará fishekët, preferojnë t’i falin, vetëm që blerësit të mos zbulojnë skandalin e vjedhjes? Kjo pikëpyetje e madhe fajëson kryeministrin shqiptar dhe ish-ministrin e Mbrojtjes si fajtorë të vetëdijshëm në këto dy histori korrupsioni, njëra prej të cilave shkretoi një fshat të tërë dhe tjera po trondit politikën amerikane.

Dhe, kur të dy skandalet u ndriçuan nga flaka e shpërthimit, zyrtarët shqiptarë filluan të përdorin ambasadorin amerikan si barkë shpëtimi. Lakimi i emrit të tij dhe diplomacisë amerikane për të justifikuar këtë histori të shëmtuar korrupsioni u kthye në refren. Arroganca e fituar nga ky refren shkoi deri në një ngërç të pakuptueshëm për fillimin e hetimeve, duke mos ia hequr imunitetin Fatmir Mediut. Moshetimi i Fatmir Mediut bllokonte hetimin në Tiranë, çka bllokonte në njëfarë mënyre dhe zbardhjen e kësaj ngjarjeje përmes provave ligjore nga drejtësia amerikane. Kjo bëri që ambasadori Withers të bëhej promotor i kërkesave publike për heqjen e imunitetit të Mediu dhe detyroi Kuvendin të futej në një seancë urgjente për heqjen e imunitetit. Tashmë, hetimi nxori dhe historinë e përdorimit të tij prej zyrtarëve shqiptarë. Dhe ky është një çast që zoti Withers duhet ta kishte pritur prej kohësh. Është një rast i mirë për të të ndihmojë hetimin real të kësaj çështjeje dhe për t’i hequr alibinë zyrtarëve shqiptarë që kanë prodhuar këtë histori korrupsioni, të cilët po përpiqen të ndjehen të gëzuar që korrupsionin nuk e shpikën ata, por ua sollën nga SHBA.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›