Shefi i OKB sinjalizon ndryshime në Kosovë
Në nëntë vitet e fundit, kosovarët e kanë përshkruar vetveten si vëzhgues të fatit të tyre, ndërkohë që e ardhmja e tyre kontrollohej nga Moska, Uashingtoni, Brukseli dhe Nju-Jorku. Largimi i UNMIK mbase do ta ndryshojë një qasje të këtillë.
James Lyon, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave në Beograd, ka thënë se “Ban Ki Moon qartazi është afruar me pozicionin e atyre shteteve që e kanë njohur Kosovën, por, nga këndvështrimi i serbëve, ata kanë fituar atë që kanë dashur, ata de facto e kanë marrë veriun e Kosovës”.
Planet e serbëve të Kosovës për të formuar parlamentin e tyre, i cili nga Perëndimi konsiderohet si i paligjshëm, do të koordinojë agjencitë serbe, policinë, sigurinë e madje edhe zyrat e Ministrisë serbe të Mbrojtjes.
Një diplomat i lartë perëndimor ka thënë se “zvarritja e këtij problemi nuk do të ndihmojë aspak. Ne nuk duam që Kosova të jetë një zonë e ngarkuar ndërkombëtare për vite të tëra”.
Kosova është prioritet i dorës së dytë për Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin në përgjithësi, me krizën ndërmjet Iranit dhe Izraelit, luftën në Irak dhe Afganistan.
Megjithatë, rasti i Kosovës ka vënë në konflikt parimet kyçe të marrëdhënieve ndërkombëtare – sovranitetin e shtetit kundër konceptit relativisht të ri të vetëvendosjes për kosovarët. Ky rast shihet si një test, nëse Ballkani mund të integrohet në Evropë apo nëse anon drejt grupimeve nacionaliste.
Madje, edhe para një viti ka qenë e mundshme të bisedohet për një rezolutë paqësore, të rregullt dhe jo me një çmim të lartë për Kosovën. Me të do të përmbyllej edhe kapitulli i fundit i kaosit ballkanik, duke i dhënë fund kështu edhe një fushate të përgjakshme dhjetëvjeçare të Sllobodan Millosheviçit për “Serbinë e Madhe”.
Zoti Lyon thotë se “Kosova është hedhur në një kthesë të papritur nga Serbia. Askush nuk ka pritur që Serbia do të jetë e aftë ta fusë në konfuzion Këshillin e Sigurimit, askush nuk ka pritur që Rusia të shkojë deri në fund për Serbinë apo që serbët me aq vendosmëri të insistojnë në krijimin e strukturave paralele në enklavat e tyre”.
Dhe, mungesa e një rezolute vazhdon të nënkuptojë një tatëpjetë për Prishtinën, thonë zyrtarët.
Në vend të një misioni të NATO-s, i cili tani do të duhej të merrej me stërvitjen e forcave të rendit, NATO vazhdon t'i mbajë larg të dyja palët. Në vend të një misioni evropian në terren, Brukseli vazhdon të merret me mosmarrëveshjet midis vendeve anëtare.
Në vend të një sistemi ligjor, ekzistojnë dy të këtilla, kosovar dhe serb. Dhe, në vend të një izolimi të pritur për Serbinë – Sllovakia, Greqia, Spanja dhe Rusia janë duke mbështetur përpjekjet e Beogradit për të sfiduar pavarësinë e Kosovës.