E Shtunë, 31 Tetor 2026

Withers: Po shqyrtoj letrën dhe do përgatis përgënjeshtrimin

Ambasada amerikane në vendin tonë reagoi me anë të një njoftimi për shtyp në lidhje me akuzat që ngriheshin në një letër të kreut të Komisionit për Mbikëqyrjen në Kongresin amerikan. Sipas këtij njoftimi, Withers ka qenë në dijeni të pretendimeve të kongresmenit dhe po shqyrton përmbajtjen e letrës dhe do përgatisë një përgënjeshtrim të plotë. “Ambasadori Withers është në dijeni të pretendimeve të paraqitura në letrën e 23 qershorit nga Përfaqësuesi i Kongresit, Henry Waxman, drejtuar Sekretares së Shtetit, Rice. Ai po studion përmbajtjen e letrës dhe, sapo ta ketë mbaruar këtë, do të përgatisë një përgënjeshtrim të plotë në lidhje me çfarëdo pretendimi kundër ambasadës së SHBA apo atij vetë.

Siç ka thënë publikisht shumë herë, ambasadori beson në mënyrë të palëkundshme që një shqyrtim i drejtë i fakteve do të çojë në fund tek e vërteta. Ai e përdor këtë parim në mënyrë të barabartë si ndaj vetes, ashtu edhe ndaj të tjerëve, me dijen absolute që faktet mbi këtë çështje, të paraqitura plotësisht, do të shpërbëjnë cilindo dhe çdo pretendim të ngritur kundër tij, stafit të tij apo qeverisë së tij”, - thuhet në njoftimin e ambasadës.

Reagimi i Departamentit të Shtetit

Në konferencën me gazetarët dje, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tom Keisy, tha se Departamenti i tij do t’iu përgjigjet shqetësimeve të Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve.

“Me siguri që do të bëjmë çdo përpjekje për t’iu përgjigjur shqetësimeve të shtruara në letrën e kongresmenit Waxman dhe do të japim përgjigje, megjithëse tani nuk mund të jap hollësi të tjera. Dua të vë në dukje, se ambasadori, John Withers, dhe persona të tjerë, që përmenden në këtë letër, janë diplomatë karriere dhe asnjëri prej tyre nuk ka ndonjë interes biznesi me firmën AEY”.

Në letrën e tij, zoti Waxman i kërkon sekretares Rice që për të ndihmuar hetimet e komisionit, disa zyrtarë të ambasadës amerikane në Tiranë të intervistohen, si dhe të paraqiten dokumentet që lidhen me këtë çështje.

Vetëm 4 ditë më parë, të premten e kaluar, Departamenti amerikan i Drejtësisë ngriti akt-padi kundër 4 zyrtarëve të kompanisë AEY, përfshirë presidentin e saj, 22-vjeçarin Efraim Diveroli. Një gjykatë e Majamit të Floridës ngriti akuza për blerjen e municioneve kineze në Shqipëri dhe shitjen e tyre Pentagonit për të furnizuar forcat afgane të sigurisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›