E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lidershipi i LDK, në krizë

Me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Kosovës lind nevoja e rishikimit të pozicionit të Presidentit të Republikës së Kosovës. Presidenti, Fatmir Sejdiu, aktualisht mban dy detyra, atë të Presidentit të Republikës dhe atë të kryetarit të partisë së tij, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), por, sipas nenit 88 të Kushtetutës së re të Kosovës, presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë detyrë tjetër publike dhe asnjë funksion në partitë politike.

Pra, Fatmir Sejdiu duhej, sipas Kushtetutës, që prej datës 15 qershor 2008 të ishte larguar nga funksionet e kryetarit të LDK. Sigurisht që një politikan i mençur dhe i matur si Sejdiu, i vlen shumë LDK dhe për këtë i duhet dhënë një pozicion si ai i Presidentit të Nderit të Partisë.

LDK, peng i kultit të individit

Që prej krijimit të saj, LDK, më 23 dhjetor 1989, nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës, ka qenë partia që ka pushtuar skenën politike të Kosovës. LDK fitoi zgjedhjet e 2 korrikut 1990, Asambleja me mazhorancë LDK vetëshpalli republikën e pavarur të Kosovës në kuadër të Federatës Jugosllave, dy vjet më pas po kjo Asamble zgjodhi Presidentin e Republikës, më 24 maj 1992, liderin e rezistencës paqësore, Ibrahim Rugovën. Ibrahim Rugova ishte mishërimi i rezistencës paqësore, një nga udhëheqësit e shoqërisë paralele, e cila lindi si përgjigje ndaj represionit serb dhe përdhosjes së të drejtave të shqiptarëve në Kosovë. Ai u bë kështu në njëfarë mënyre simboli paqësor i shqiptarëve në Kosovë. I quajtur “Gandi i Ballkanit” për idetë e tij paqësore, ky ish-student i Sorbonës dhe profesor i letërsisë shqipe do të jetë lideri i patjetërsueshëm i shqiptarëve deri në vdekjen e tij. Megjithëse në periudhën 1998 -2000 imazhi i tij u fanit pak me domosdoshmërinë jetike të shfaqjes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai deri në ditët e fundit të jetës së tij qëndroi në postin e presidentit të Kosovës dhe u respektua si i tillë nga i gjithë populli i Kosovës, i cili i dha dhe votën e tij në zgjedhjet e para të lira kosovare në vitin 2000, duke e rikthyer sërish LDK krenarinë e saj në skenën politike.

Formacioni LDK pritej të dominonte klasën politike për një kohë të gjatë, duke patur parasysh sjelljen e elektoratit kosovar tepër tradicional dhe lideri historik, Rugova, ishte antidoti që i përgjigjej shijeve të popullit të Kosovës. Por, me ndarjen e tij nga jeta, LDK ka humbur në njëfarë mënyre boshtin e saj e ende askush nuk ka arritur të mbushë vakuumin e lënë prej tij. Ai e udhëhoqi LDK për 18 vjet, por nuk diti të sigurojë pasardhësin e tij në parti. Rugova e ka mbajtur pushtetin të centralizuar në duart e kryetarit, duke e zvogëluar pozicionin e nënkryetarit të partisë me pesë nënkryetarë. Në strukturat e LDK qendra vendimmarrëse është Presidenca dhe Kryesia e LDK. Kryesia është e copëtuar në pesë nënkryetarë, të ndarë përkatësisht në nënkryetarin për Çështje Gjinore, Nekibe Kelmendi, në nënkryetarin për Çështje Fetare, Kol Berisha, në nënkryetarin kryesor, Eqerem Kryeziu, në nënkryetarin për Çështje të Organizimit të Brendshëm, Fadil Ferhati dhe në atë për qeverisje, Lutfi Haziri.

Shkëputja nga LDK e Nexhat Dacit me grupin e tij i shkaktoi humbjen në zgjedhjet e 17 nëntorit të vitit të kaluar. Kjo ndodhi e renditi LDK të dytën në vend dhe, nëse në LDK do të vazhdohet ende me axhenda personale dhe nëse nuk ka një reformim të partisë, atëherë ajo mund të bjerë dhe më poshtë në renditje, e koha e artë e Ibrahim Rugovës do t'iu duket shumë larg pasardhësve të tij.



Nevojë për reformë në LDK

Nënkryetarët e LDK nuk mund të vazhdojnë me politikën e strucit dhe t'i fshihen furtunës, kur mbërrin në prag, por ata duhet të ndërmarrin një reformë të partisë, të strukturave të saj, duhet të organizohen zgjedhjet në parti, përderisa dhe kryetari nuk mund të vazhdojë të mbartë dy mandate. Dhe pikërisht kjo është njëra prej arsyeve që presidenti Sejdiu duhet ta distancojë kryesinë e partisë së tij nga roli i presidentit, sepse është duke mbajtur peng LDK, duke kompromentuar në këtë mënyrë me mandatin e presidentit dhe të ardhmen e reformimin e partisë.

Deri më sot, zgjedhjet janë fituar vetëm me një refren: “Kosova e Pavarur!” Sot, kjo u realizua e jo vetëm LDK po të gjitha partitë politike të Kosovës duhet të rishikojnë strategjitë e tyre në këtë prizëm dhe të ndërtojnë gjithçka mbi nevojat e shtetit të ri të dhe të popullit kosovar. Politikanët kosovarë duhet t'i tregojnë popullit të tyre se ata janë të aftë të ndërtojnë shtetin modern të Kosovës! Postet drejtuese të partisë duhet t'u hapin rrugën gjeneratave të reja e jo gllabërohen nga garda e vjetër si të lëna me tapi. Ambicia kryesore e LDK dhe e të gjitha partive të tjera duhet të jetë me çdo kusht të sigurojë jetëgjatësinë e partisë dhe të rigjeneroje radhët dhe drejtuesit e saj me gjeneratën e re të politikanëve kosovarë.

*Studiuese dhe këshilltare pranë revistës franceze, “Politique Internationale”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›