Ruli: Ligj i ri, kush vjedh energji, do të shkojë në burg
“Në këtë aspekt, ndihma dhe asistenca e qeverisë do të jetë strategjike, pasi qeveria ka interes të shohë një sistem energjitik sa më eficient dhe për këtë arsye do t'i ofrojë investitorit gjithçka për të realizuar këtë eficiencë”, - tha ministri Ruli, duke nënvizuar se “është bërë e qartë se qeveria do të vazhdojë politikat e ndërmarra në mbrojtje të kategorive më të varfra dhe më në nevojë të konsumatorëve, praktikë e cila po aplikohet prej më se dy vjetësh dhe do të vazhdojë të aplikohet edhe në të ardhmen”. Ministri i Ekonomisë tha se në planin paraprak të qeverisë, ana teknike merr një rëndësi të madhe. “Rëndësia e aspekteve teknike lidhet me faktin se cili do të jetë investitori i zgjedhur dhe sa do të angazhohet ai me një plan konkret investimesh ambicioze, në mënyrë që në krye të një periudhe trevjeçare ne të kemi një sistem të shpërndarjes të modernizuar”, - tha Ruli. Në qershor të këtij viti, Këshilli i Ministrave vendosi që 76 për qind e paketës shtetërore të aksioneve të kapitalit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) t'iu ofrohet investitorëve strategjikë. Në garë për privatizimin e OSSH janë kompanitë EVN, CEZ, ENEL dhe “Stetmarker Energy”, të cilat në fillim të muajit shtator, do të paraqesin në ministri ofertat e tyre. Ligji i ri që do të dalë për vjedhjet e energjisë dhe masat e ashpra që ai parashikon synojnë që jo thjesht të ndëshkojnë këtë vjedhje të pronës publike, por edhe t’ia lehtësojnë punën kompanisë blerëse, me qëllim që humbjet të jenë sa më të vogla dhe kompania të mos synojë të rrisë çmimin e energjisë elektrike. Gjithashtu, në kontratën e privatizimit do të ketë një klauzolë që detyron qeverinë shqiptare të furnizojë me energji vendin, në rast të krizave të mëdha energjitike.