ODIHR-i hedh poshtë draftin e PD-PS për numërimin elektronik

Kuti votimi
Sipas ekspertëve, aplikimi i teknologjinë është i nxituar, i pasigurt dhe i paqëndrueshëm
Teksa pritej që partitë politike të përmbyllnin brenda së martës reformën zgjedhore, ekspertët e ODIHR i kanë dhënë një shuplakë anëtarëve të grupit të punës. Tre ekspertët e ardhur në vendin tonë për të asistuar, janë shprehur kundër idesë së numërimit elektronik të votave për zgjedhjet e përgjithshme të 2013-ës. Sipas tyre, vendimi i marrë nga PD dhe PS për të aplikuar që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare teknologjinë e re, është i nxituar, i pasigurt dhe i paqëndrueshëm. Ata rekomandojnë përdorimin e teknologjisë së lartë që do të mundojë numërimin elektronik të votave nëpërmjet projekteve pilote në shkallë të ulët dhe në mënyrë graduale. ODIHR-i u ka rekomanduar partive politike 3 vjet kohë përgatitore për futjen e teknologjive në zgjedhje. Kundërshtimi i ODIHR-it për përdorimin e teknologjisë që në zgjedhjet parlamentare është paralajmëruar dy muaj më parë nga Këshilltari i Lartë për TRZ i OSBE/ODIHR-it, Robert Krimmer.Nuk është e lehtë të thuash nëse realizohen, ajo që mund të japin ne është eksperienca, afati është shumë i shkurtër. gjërat e shpejta, pra me shpejtësi sjellin që shumë gjëra anashkalohen, theksoi ai në tryezën e zhvilluar në Tiranë. Me nota skeptike un shpreh dhe kryetari I KQZ-së Ristani i cili kërkoi që të përdoret procedura e ndjekur në zgjedhjet e mëparshme. Sipas draftit për të cilin PS dhe PD kanë rënë dakord, Sistemi Elektronik i Numërimit përbëhet nga tërësia e pajisjeve elektronike, kompjuterike dhe e programeve të ndryshme informatike, nëpërmjet të cilave në mënyrë, automatike e të pavarur, realizohet numërimi dhe vlerësimi fletëve të votimit, si dhe nxjerrja e rezultatit zgjedhor. Përdorimi i teknologjisë caktohet me vendim të KQZ të miratuar nga jo më pak se 5 anëtarë. Ky vendim duhet të miratohet jo më vonë se 6 muaj përpara datës së parë të mundshme për zhvillimin e zgjedhjeve. Për të mbikëqyrur procesin që do të realizohet nga ekspertët e kompanisë që do të fitojë projektin, KZAZ-ja cakton dy përfaqësues të subjekteve zgjedhore, të zgjedhur mes anëtarëve të Grupeve të Numërimit. Përfaqësuesit propozohen një nga partia më e madhe e shumicës dhe një nga partia më e madhe e pakicës parlamentare. Përfaqësuesit e Subjektit nuk kryejnë numërim apo vlerësim votash por vetëm mbikëqyrin nga afër procesin e numërimit elektronik, nënshkruajnë tabelat e rezultateve të QV-së.
Detaje
1. Komentet e ODIHR rrëzojnë përdorimin e teknologjisë në zgjedhje: në qendrën e votimit me kartën lexuese të ID-së dhe të numërimit elektronik.
2. Propozimi i PS-së për përdorimin e teknologjive, për të cilin PD-ja dha konsensus rreth dy javë në komision refuzohet nga ODIHR-i si i nxituar, i pasigurt dhe i paqëndrueshëm. Si i tillë, ai konsiderohet si proces i parealizueshëm për zgjedhjet e 2013-ës.
3. ODIHR-i rekomandon të paktën 3 vjet kohë përgatitore për futjen e teknologjive në zgjedhje. Rekomandon përdorimin e tyre vetëm nëpërmjet projekteve pilote në shkallë të ulët dhe në mënyrë graduale.
4. Kuadri ligjor duhet të jetë i detajuar, i sakte dhe garant ndaj abuzimeve dhe mbrojtjes së të dhënave personale.