Fundi i mbikqyrjes, Nishani: Të shijojmë lirinë

Presidenti Bujar Nishani
TIRANE- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani e ka cilësuar një ditë ogurbardhë, gëzimi i të cilës bëhet pjesë e festimit tonë të 100-vjetorit të shtetit të parë shqiptar përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës, nga Grupi Drejtues Ndërkombëtar.
Mesazhi i plotë e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani
Të dashur qytetarë të Kosovës,
Të dashur bashkëkombas të mi kudo që jeni,
Ju drejtohem në një moment solemniteti dhe reflektimi, kur e ardhmja dhe e shkuara e Kosovës ndahen dhe bashkohen njëherësh. Ndahen e shkuara e hidhur nga e ardhmja e sigurtë plot begati për të gjithë qytetarët e Kosovës, të çfarëdo etnie dhe përkatësie fetare. Bashkohen përpjekjet dhe përkushtimi për liri, demokraci dhe prosperitet.
Përmbyllja e mbikëqyrjes së Pavarësisë së Kosovës është kurorëzimi i përpjekjeve dhe veprës sublime të brezave të luftëtarëve, dëshmorëve, njerëzve të dijes, politikanëve dhe aleatëve tanë të lirisë. Përulemi me mirënjohje para veprës së tyre!
Republika e Kosovës sapo ka nisur udhëtimin e saj të gjatë si një shtet plotësisht i pavarur dhe sovran që ka tërësisht në duart e saj të ardhmen e qytetarëve dhe të brezave që do të vijnë.
Më lejoni tju uroj në këtë ditë ogurbardhë, gëzimi i të cilës bëhet pjesë e festimit tonë të 100-vjetorit të shtetit të parë shqiptar.
Kjo është një ditë e mbushur me entuziazëm, por edhe me një përgjegjësi të madhe.
Qytetarët dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës do të kenë përgjegjësinë e plotë për të punuar për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, për prosperitetin ekonomik dhe të ardhmen euro-atlantike të shtetit më të ri në moshë, por që ka fituar tashmë pjekurinë falë përkushtimit dhe urtësisë së të gjithë aktorëve politikë, institucionalë dhe shoqërisë civile.
Një thënie e vjetër thotë: Liria punon. Dhe ne nuk na mbetet gjë tjetër veçse të punojmë për ta shijuar lirinë, për ta bërë të punojë në të mirën e gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim etnie apo feje.
Ne jemi të gjithë bashkë për të përballuar sfidat dhe gëzuar sukseset e së ardhmes, sepse kemi të njëjtin destinacion dhe të njëjtën aspiratë, të bashkohemi në familjen evropiane, ku liria ka dimensionet më të mëdha dhe e ardhmja është më e begatë. Por, gjithçka me punë dhe përkushtim.
Ne do t`ia dalim, sepse kemi dëshmuar se dimë të luftojmë, të punojmë dhe të fitojmë.
Gëzuar lirinë! Zoti e bekoftë Kosovën!