E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merr fund mbikqyrja, Obama: Arritje historike

Nga konferenca per shtyp

PRISHTINE- Grupi Drejtues Ndërkombëtar shpalli përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.

“Pas vlerësimit të tij më datë 2 korrik 2012 se Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës (PGJS) është zbatuar në mënyrë substanciale dhe duke vënë re se në përputhshmëri me zotimet e tyre, institucionet e Kosovës tani i kanë miratuar pakot e ndryshimeve të Kushtetutës dhe të legjislacionit primar duke i përfshirë në mënyrë të kënaqshme elementet e mbetura të PGJS-së brenda kornizës kushtetuese dhe juridike të Kosovës, Grupi Drejtues Ndërkombëtar shpall sot përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës dhe përfundimin e mandatit të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar”, thuhet në deklaretn e grupit.

“Pas përfundimit të detyrave të nevojshme administrative të brendshme, Zyra Civile Ndërkombëtare do të mbyllet në fund të vitit 2012. Me efekt të menjëhershëm, PGJS-ja nuk ekziston më si fuqia juridike e veçantë dhe më e lartë, dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës tani përbën bazën e vetme të kornizës juridike të vendit”, thuhet më tej në deklaratë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka mirëpritur dhe mbështetur fuqishëm vendimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar, se mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës i ka ardhur fundi.

Në një komunikatë, presidenti amerikan citohet të ketë thënë se pas pothuajse katër vitesh e gjysmë, përmbushja e provizioneve të Planit Gjithëpërfshirës është arritje madhore për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Me optimizmin, energjinë dhe vendosmërinë karakteristike të popullit të saj, Kosova ka arritur përparim thelbësor në fuqizimin e pavarësisë dhe në ndërtimin e institucioneve të një shteti modern, shumëkombësh, përfshirës dhe demokratik, ka thënë presidenti Obama.

Ka ende punë për tu bërë, ndërkohë që liderët e Kosovës tani marrin përsipër përgjegjësinë për të siguruar se parimet e deklaratës së pavarësisë dhe kushtetutës zbatohen për çdo qytetar, ka thënë Obama.

Në emër të popullit amerikan, uroj qeverinë, parlamentin dhe popullin e Kosovës për këtë arritje historike, me të cilën Kosova ndërmerr edhe një hap të rëndësishëm drejt vendit që i takon, në një Evropë të lirë, të tërësishme dhe paqësore, thuhet në fund të komunikatës së presidentit amerikan, Barak Obama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›