Pas apelit të Berishës, Kësh. i legjislacionit shqyrton nesër paketën e PS
Ka mjaftuar një deklaratë e Kryeministrit Berisha për të ndryshuar gjithë rrjedhën e ndryshimeve kushtetuese propozuar nga PS. Kreu i maxhorancës nga mbledhja e Grupit parlamentar i kërkoi Këshillit të Legjislacionit që të përshpejtojë shqyrtimin e paketës së opozitës. 2 orë pas deklaratave të Kryeministrit ka ardhur edhe përgjigja e kryetares së Kuvendit që ka afruar mbledhjen që këtë të martë.
"Unë e mirëpres këtë vendim të PS-së dhe ajo që do të ftoja është që të fillojnë dëgjimet. Ne i kemi shprehur qëndrimet tona dhe ato janë të qartë por meqë shtatori është një muaj, dhe është një afat kritik për vlerësim e arritjes së Shqipërisë unë do t`ju lutesha që të bëjmë gjithçka për të afruar datën e votimit në parlament të ndryshimit të heqjes së imunitetit dhe ligjet që janë propozuar nga PS-ja. Në rast do të mund që kjo proces të kompletojë brenda afatit kohor ky do të ishte lajmi më i mirë që ne mund tu dërgonin partnerëve ndërkombëtarë" theksoi Berisha.
Në njoftimin e Kuvendit përcaktohet se këtë të martë në orën 10:30 do të zhvillohet seanca e dytë e shqyrtimit të iniciativës së PS-së. Po ashtu bëhet e ditur se Këshilli do të zhvillojë seancën dëgjimore me grupet e interesit për paketen e PS, ditën e mërkurë në orën 09:30. Mbledhja e Këshillit të Legjislacionit thuhet në njoftim, do të zhvillohet në përputhje me rregulloren e Kuvendit.