E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fundi i tensionit dhe misionit 23-vjeçar

Kujtim Dashi/shkrimtar 

Tani që stina e verës po e ul siparin dhe moti po gusht-e-gunëzohet, ne, shqiptarët, mund të biem padyshim në një mendje, se pas 22 vjetësh kjo ishte vera e parë pa (jo krejt) Sali Ramë Berishën. Falë 23 qershorit historik! Dhe, për të mos u përfshirë në gjeratoren PD-iste të sulmit pervers e neveritës kundër z. Arvizu (ose ambasadorit amerikan të radhës), po i referohem thënies së politikanëve nga më të njohurit sot në botë, që kjo ditë e shënuar është një nga tre-katër ngjarjet më të rëndësishme të shekullit të fundit për Shqipërinë. Populli thotë se ai që di shumë, shikon më shumë. Auditimi ndërkombëtar dhe nisja e menjëhershme de jure e punës së qeverisë “Rama”, do të dëshmojnë se ç’përgjegjësi të mëdha janë marrë nga Rilindja, në radhë të parë, për të frenuar theqafjen në prag-greminën e dytë (pas asaj të 1997-ës) nga i njëjti protagonist i rrënimit kombëtar dhe për të çelur një epokë të re zhvillimi e prosperiteti. Po le të kthehemi sërish te kjo verë pa (jo krejt) Saliun. Pandehën njerëzit që, më në fund, do të gëzonin një verë për së mbari, të qetë, paqësore, pa agresivitetin e imponuar e SRB-së, pa ngjarje të rënda etj, etj., pasi po të bësh një retrospektivë të dy dekadave të fundit, të gjitha, thuajse pa përjashtim, kanë qenë të nxehta, super të nxehta, tensionuese, konfliktuale, plot kërcënime dhe ultimatume…1992, 1993, 1996, 1997. Nën këtë smog politik, pasojë e një strategjie të mirëmenduar antikombëtare e antidemokratike, është grabitur dhe vazhdon të grabitet ditën për diell atdheu, qytetari, që është i pari; merren vendime sheshit të kundraligjshme si një bandë që diku në ndonjë qafë mali ndanë prènë e vet; llokma nga atdheu iu “dhurohen” pacient-militantëve të PD-së dhe sponsorizuesve të saj në tërë mbrapshtitë e ndodhura deri më sot me ideim dhe realizim nga kjo forcë politike (lexo: nga Familja)…

Të gjitha këto e kanë lodhur e rraskapitur popullin tonë, e kanë traumatizuar natyrisht edhe me kontributin e pakursyer të karruselistëve mediatiko-politikë, emrat e të cilëve populli i ka shenjuar mirë në kujtesën e tij të pamort, si bashkëfajtorë me vetë SRB-në. Si rregull pra, kështu duhet të ndodhte: të ishte një verë e qetë, paqësore, reflektive, për të marrë energji, për t’iu përveshur punëve të mëdha të rimbëkëmbjes, siç i pëlqen Dritëroit t’i thotë Rilindjes. Kur u sosën “tri ditët e kiametit” të pas 23 Qershorit, që i korrespondon rënies në mënyrë të ndjeshme të shitjeve të qetësuesve në farmacitë, me ose pa kontratë me Sigurimet Shoqërore për moshën e dytë e të tretë, - tani do të na pushojnë veshët, u lumturuan para kohe, pasi tashmë 1 milion shqiptarë e kishin rrëzuar me votë e përfundimisht shkaktarin nr. 1 të mbjelljes dhe kultivimit të kaosit në çdo aspekt, SRB, ky “dalëzotës i kombit në facebook” (pionier i mbajtjes së këtij “titulli”), i (demek)dorëhequr, edhe pse me një lëmë kompetencash kushtetuese të kufizuara për periudhën e ndërmjetme të kalimit të pushtetit nga një forcë politike të tjetra, zuri të punojë me kapacitet të plotë dhe sipas misionit të tij, të nisur 23 vjet më parë.  Për popullin u kthye në një ankth të vërtetë jo vetëm çdo mbledhje e Qeverisë kujdestare tranzitore, por edhe çdo dalje e SRB-së, qoftë edhe në facebook, në istikamin e vet të ri, për ta mbajtur nën tension e presion (nga Dhërmiu i rekordeve me vetveten dhe i shtesave në buxhet për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare) të panevojshëm jetën politike e sociale të vendit. Pas çdo mbledhjeje të Qeverisë, plaste (dhe plas) një skandal: ARMO, SHQUP-i, Lazarati, gërgasi i çështjes së Përmetit etj..

Thuajse vota historike e 23 Qershorit e kishte inkurajuar që t’i shkonte deri në fund misionit të tij, tashmë të açiktë (kujto shitjen e detit grekut e qindra bëma të tjera), jo vetëm nga “vepra e kryer” mbi Shqipërinë e drobitur si e dalë nga një luftë shumëvjeçare, po edhe nga dokumente, opinione dhe analiza të përimta e kompetente të publikuara.  Pas çdo komenti të këtij “dalëzotësi të kombit në facebook”, njerëzit shihnin dhe shohin një njeri cinik, shpifës ordiner të pakrahasueshëm, sikur qeveria në ardhje të mos ishte e dalë nga vota 1 milionëshe dhe nga ky popull, po të ishte një komando uzurpatore e mirë trajnuar për të vazhduar rrënimin aty ku e kishte lënë Saliu me të vetët; një Kryeministër që enkas, jo vetëm nuk do ta lexojë si duhet votën popullore, por anatemon popullin e vet, buzëqeshjen e të cilit e ka për mision ta ngrijë dhe dirigjon një kor të tillë mediokrish dhe të inkriminuarish, të cilët do ta ndjekin shumë shpejt në fatin që i përgatiten vetvetes…Në të vërtetë kjo verë do të shënohet pas 22 vjetësh pa (jo krejt) SRB-në e rënë nga kali, fatmirësisht jo sipas parashikimit të orakullit Namik Vehbi Fadile Hotit. Veç sa vura në spikamë më lart, dua të them se ajo ishte jo krejt pa Saliun edhe për faktin se “litari i lënë jashtë” prej tij është mjaft i gjatë. Nga kronika e zezë e ditës më të fundit, që më nxiti dhe për këtë shënim të shkurtër, me hidhërim të madh mësova se dy jetë njerëzish në plazhin e Velipojës, një shkodran (që hidhet për të shpëtuar vëllanë e vet nga Kosova) dhe kosovar humbën jetën dhe atje s’kishte as roje plazhi, as polici dhe as ambulancë, ndërkohë që SRB, për vite me radhë numëronte deri në edhe “turistin” prej Macukullit a Smokthinës, që kishte ardhur për të parë prindërit e vet.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›