Fundjava e "The Animals" në Pallatin e Kongreseve
Muzika Blues vjen këtë fundjavë në Pallatin e Kongreseve nën tingujt e katër bandave muzikore të njohura. Më 19 maj, ora 20:00, zhvillohet festivali "The Big Blues", ku gjatë një mbrëmjeje të vetme interpretojnë grupet Lance Lopez, "Louisiana Red", "Dr Feelgood" dhe "The Animals".
Artisti nga Teksasi, Lance Lopez, është i vetmi që shkel në Shqipëri për herë të dytë. Një vit më parë banda e tij ka hapur koncertet shqiptare të dy grupeve të rrokut "Def Leppard" dhe "Whitesnake". Ndërsa "Louisiana Red" është një nga grupet veterane të kësaj rryme me një repertor solid. Grupi përbëhet nga Burt Bernard, Barry
Trosclair, Glenn DeLaune, Victoria Richard, Robert Burton Keys dhe Nick Stephan.
Surprizë është ardhja e bandës "The Animals", të njohur vetëm për hitet si, "The House of the Rising Sun" dhe "We Gotta Get Out Of This Place", por edhe për vokalin e mrekullueshëm të Eric Burdon, vokali kryesor i "The Animals". Ai e themeloi grupin më 1962-shin në Newcastle, Britani.
"The Animals" kultivojnë muzikën elektrik bluz përzier me rrok. Në Amerikë ata njihen si një nga bandat kryesore të "pushtimit britanik", së bashku me "The Beatles" dhe "The Rolling Stones".
Grupi dha ndihmesë të madhe në përhapjen e muzikës britanike në botë. Zëri i fuqishëm i Eric Burdon vihet re sidomos në këngët "Don't Let Me Be Misunderstood", "Bring It On Home to Me", "We've Gotta Get Out of This Place", "Don't Bring Me Down", and "W Rider".
Ajo që ka shkruar emrin e "The Animals" në historinë e muzikës është kënga "The House of the Rising Sun", e cila në vitin 1995 u bë dhe kolona e filmit "Casino", me aktorët Robert De Niro dhe Sharon Stone.
Nata e parë në Teatrin e Metropolit
Festivali i Jazzi-it sjell saksofonistin Hal Singer
Këtë vit, muzika jazz bëhet pjesë e kalendarit kulturor të kryeqytetit edhe nëpërmjet festivalit më të ri, "Vesa Jazz Festival". Duke filluar që sot në mbrëmje dhe për pesë ditët në vazhdim, në skenën e vogël të Teatrit të Metropolit prezantohen instrumentistë dhe vokalistë nga Italia dhe SHBA-ja.
Nata e parë e festivalit nis sot në orën 19:30, me interpretimin e vokalistes amerikane Crystal White, e cila shoqërohet nga instrumentistët Andrea Rea, (Itali) Carmelo Leotta (Itali), Elio Coppola (Itali) dhe i ftuari special Jerry Weldon (SHBA).
Organizatori i këtij festivali, Artur Çani, gjatë prezantimit para mediave tha dje se ideja për realizimin e një festivali të tillë lindi duke parë numrin e madh të publikut që ndiqte koncertet në "Rey, jo vetëm Jazz Club". Kjo ide u forcua më tepër shkurtin e kaluar, pas interpretimit në këtë klub të pianistit Masimo Farao.
Ky i fundit është edhe një nga mysafirët e rëndësishëm të këtij edicioni të parë të "Vesa Jazz Festival".
Më i rëndësishmi në listën e të ftuarve është saksofonisti amerikan Hal Singer, i cili interpreton nesër në mbrëmje, në orën 19:30.
Harold (Hal) Singer, i lindur më 1919 në Oklahoma, do të ishte instrumentisti i talentuar, i cili mund të luante në violinë, piano dhe sidomos në instrumentet frymorë. Shumë shpejt ai do të braktiste studimet për të interpretuar në rrugë me bandën që drejtohej nga Terrence Holder.
Ky ishte hapi i parë në botën e muzikës, që më pas do ta çonte në banda të tjera vendase, si ajo e Ernie Fields, Ed Christian dhe e Nat Towles.
Vetëm në vitin 1942 ai arrin të bëhet anëtar i një bande profesioniste, drejtuar nga Lloyd Hunter.
Në vitin 1948 formoi bandën e tij të parë dhe regjistroi diskun e parë "Cornbread", disk që u shndërrua në hit. Një nga ngjarjet muzikore më të mëdha në karrierën e këtij artisti konsiderohet edhe "A Big Battle of the Bands", në teatrin "Apollo" në Nju Jork, më 1952-shin.
Gjatë kësaj mbrëmjeje u përballën bandat e jazz-it më të mira të kohës, ku merrnin pjesë Singer, Lowell Fulson dhe Ray Charles. Mes gjithë disqeve të Hal Singer, në historinë e muzikës përmenden vetëm dy më të suksesshmit; "Cornbread" dhe "Hot Rod".
Karriera e tij muzikore do të vazhdonte edhe për gjysmë shekulli në të gjitha vendet e botës. Sot, më moshën 90-vjeçare, i ra shorti skenës shqiptare ta mirëpresë.
Hyrja për të gjitha netët e festivalit është falas.
Pamja e re e Bibliotekës Kombëtare
U deshën disa muaj punime dhe një mbështetje financiare nga ana e AMC-së, që salla e lexuesve në Bibliotekën Kombëtare të ndryshonte pamje.
Dita e djeshme ka shënuar përfundimin e marrëveshjes së bashkëpunimit të drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari, dhe drejtorit Ekzekutiv të AMC-së, Stefanos Oktapodas për rikonstruksionin e sallës së lexuesve.
Tani në këtë sallë ka mjedise komode dhe shërbime bibliotekare bashkëkohore. Fondi i dhënë nga AMC-ja ka mundësuar riorganizimin e shërbimit të përdoruesve, duke krijuar kushte të mira leximi, si dhe duke ofruar nj gam më t gjer informacioni.
Salla e rinovuar e periodikut shqip e të huaj është organizuar sipas modelit të bibliotekave me "akses të lirë".
Materialet bibliotekare si, revista, gazeta, botime periodike, anuarë, vjetarë statistikorë, katalogë, etj., do të ofrohen në mjedise me fonde t hapura.
Krahas koleksioneve të revistave dhe gazetave korrente, lexuesit do t'i shërbehen dhe materiale referative, si fjalorë, enciklopedi, bibliografi etj., të organizuara sipas gjuhëve dhe fushave përkatëse. Mjediset e restauruara janë pajisur me mjete dhe teknologji moderne të informacionit.
Prova e dytë e Kejsit
Festivali i këngës "Eurosong 2009" nis zyrtarisht sot në mbrëmje, ndërsa shqiptarët duhet të presin edhe dy ditë, për të parë këngën përfaqësuese, "Carry me in Your dreams" të interpretuar nga Kejsi Tola. 17-vjeçarja ka përfunduar provën e saj të dytë në "Olimpiysky Arena" të Moskës.
Koreografia dhe zëri i Kejsit kanë qenë më të komentuarat në faqen elektronike të "Eurivision", gjatë provës së parë, ndërsa në këtë provë të dytë ka bërë më shumë përshtypje veshja e gjithë artistëve shqiptarë.
Në faqen elektronike të festivalit, veshja e tyre është komentuar: "Kejsi kishte veshur një fustan të shkurtër prej tyli të bardhë dhe shoqërueset e saj fustane të gjata të bardha. Dy kërcimtarët e shkurtër ishin veshur me të zeza, ndërsa kërcimtari i gjatë kishte veshur një kostum ngjyrë jeshile që xixëllinte. Kostumi që ngjasonte me atë të njeriut merimangë i mbulonte gjithë trupin, madje edhe fytyrën".