Kërkohet sekuestro pasurive të kompanisë së Balliut
"GËRDECI"
Gjatë seancës së djeshme në procesin e tragjedisë së vitit të kaluar, akuza kërkoi bllokimin e pasurive të Shqipërisë "TDC"
Rrëzohet kërkesa për përjashtimin e trupit gjykues të caktuar për hetimin gjyqësor të dosjes me 29 të pandehur
TIRANË- Grupi hetimor i Prokurorisë së Përgjithshme "kërkoi" dje nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë sekuestrimin e pasurisë së kompanisë "Trans Diggining Consturction" (TDC) me ortakë të pandehurin Mihal Delijorgji dhe vajzën e pronarit të shtëpisë botuese "55" Fahri Balliu, i cili pak ditë më parë i fali aksionet vëllezërve Delijorgji.
Kjo kërkesë e organit të akuzës, ishte parashikuar të bëhet gjatë parashtrimit të kërkesave paraprake, por kryesuesi i Kolegjit Penal që po shqyrton dosjen penale me 29 të pandehurit e ngjarjes së Gërdecit, Besnik Imeraj ia ndërpreu fjalën përfaqësuesit të akuzës, duke mos lejuar të parashtronte këtë kërkesë.
"Nuk është momenti i kërkesave dhe pavlefshmërisë së provave, jemi në kohën e kërkesave paraprake për juridiksionin e kësaj gjykate në shqyrtimin e kësaj dosjeje me 29 të pandehurit"-tha Imeraj.
Ndërkohë, drejtuesi i grupit hetimor të dosjes Gërdeci, Sokol Stojani, gjatë fjalës së tij të parashtrimit të kërkesave paraprake kërkoi vazhdimin e gjykimit të të pandehurve pranë kësaj gjykate dhe deklarimin si të papajtueshëm me ligjin e caktimit të mbrojtësit ligjor të Mihal Delijorgjit, Dritan Minxollit, Juliana Margariti dhe personit juridik "Albademil", pasi mes tyre ka konflikt interesi në këtë dosje.
Sapo përmendi fjalën "sekuestrim të pasurisë", gjyqtari Imeraj për të cilin kërkuan përjashtimin nga trupa gjykuese, ia ndërpreu fjalën duke i kërkuar të rezervonte këtë të drejtë deri në seancën e radhës.
Sipas burimeve nga akuza, kjo kërkesë kishte të bënte me sekuestron konservative të pasurisë së evidentuar pas dërgimit të dosjes në gjyq të firmës "Trans Diggining Consturction" (TDC) me ortakë të pandehurin Mihal Delijorgji dhe vajzën e pronarit të shtëpisë botuese "55" Fahri Balliu.
Burimet e akuzës, nuk bënë të ditur shumën e parave që kërkohet të sekuestrohen dhe pasuritë e paluajtshme që figurojnë të regjistruara në emër të të pandehurit Mihal Delijorgji dhe vëllait të tij Kristo dhe firmës së ndërtimit të drejtuar prej tyre.
Përjashtimi i Gjyqtarëve
Gjithashtu, gjatë seancës së djeshme gjyqësore, ishin përfaqësuesit e akuzës, të cilët kërkuan përjashtimin e tre gjyqtarëve të këtij Kolegji Penal, kryesuesit Besnik Imeraj, Irma Balaj dhe Evjeni Sinoimeri.
Sipas kërkesës së prokurorisë, dy gjyqtarët Bala dhe Sinoimeri janë konsumuar gjatë shqyrtimit të kërkesave paraprake në fazën hetimore, duke u shprehur në vleftësimin dhe caktimin e masave të sigurisë ndaj tre të arrestuarve Mihal Delijorgji, Dritan Minxholli dhe Ylli Pinari si dhe në sekuestrimin e pasurisë së tyre.
Ndërsa, kryesuesi i Kolegjit Penal, gjyqtari Besnik Imeraj, sipas pretendimeve të akuzës, ka krushqi dhe shoqëri të ngushtë me kunatin e të pandehurit Fatmir Mediu, Ilirjan Celibashi dhe vetë mbrojtësin e të pandehurit Mediu, Ardian Vixha.
Pas kësaj kërkese, gjyqtarët u tërhoqën për tu shprehur një trup tjetër gjykues i cili u përcaktua me short, edhe pse u kundërshtua nga avokati i të pandehurit Mediu.
Pas hedhjes së shortit, për shqyrtimin e kërkesës së organit të akuzës për përjashtimin e tre gjyqtarëve, shorti caktoi si kryesuese gjyqtaren Shpresa Beçaj, anëtar gjyqtarët Spiro Spiro, Arjana Fullani, Aleksandër Muskaj dhe gjyqtarin Gani Dizdari, i cili ka marrë pjesë edhe në caktimin e masave të sigurisë së tre të pandehurve.
Kjo pesëshe gjykuese, pas parashtrimit të këtyre kërkesave nga ana e prokurorisë, vendosi të mos pranojë përjashtimin e gjyqtarëve, duke i dhënë të drejtën të vazhdojnë gjykimin.
Pas këtij vendimi, pesëshja gjykuese u rikthye në sallë duke vazhduar shqyrtimin gjyqësore me dëgjimin e pretendimeve të palëve. Pas parashtrimit të kërkesave paraprake dhe kërkesave të tre subjekteve si paditës civilë, gjykata u tërhoq për tu shprehur me vendim me datën 22 maj ora 10:00.
Para kësaj gjykate, përveç paditësit civile të Avokaturës së Shtetit që kërkojnë dëmshpërblimin e dëmit të paguar nga i pandehuri Mihal Delijorgji dhe shoqëria "Albademil", kësaj gjykate i paraqiten paditë civile familjarët e 21 viktimave të Gërdecit dhe 12 të dëmtuar të tjerë, që kanë marrë plagë të ndryshme mesditën e 15 marsit 2008 ku shpërtheu punishtja e demontimit të municioneve në Gërdec.
------------------------------------------------------------------------------------------
21 nga 29 të pandehurit, kërkuan ndarjen e dosjes
TIRANË- Gjata parashtrimit të kërkesave paraprake, mbrojtësit ligjorë të 21 të pandehurve dhe vetë ata i kërkuan Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, që dosja e tyre të veçohet për shkak se kjo gjykatë nuk është kompetente për gjykimin e tyre.
Këtë kërkesë të 21 të pandehurit e kësaj dosjeje e paraqitën në forma të ndryshme dhe me argumente të bazuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, konkretisht në nenin 43 të saj.
Ky nen parashikon ndër të tjera se "çdo shtetas ka të drejtë të ankohet kundër një vendimi gjyqësor në një gjykatë më të lartë, përveçse kur në Kushtetutë parashikohet ndryshe".
Ndërkohë, sipas pretendimeve të avokatëve, asnjë nga 21 të pandehurit që kërkuan veçimin e çështjes nuk kanë imunitet apo janë bashkëpunëtorë në këtë tragjedi me ish-Ministrin e Mbrojtjes, të pandehurin Fatmir Mediu për të cilin Kushtetuta e parashikon që të gjykohet nga Gjykata e Lartë.
Sipas kërkuesve, dispozita e Kodit të Procedurës Penale që parashikon gjykimin e të pandehurve në një procedim të njëjtë me person me imunitet, bie në kundërshtim me Kushtetutën, dhe për këtë fakt i kërkuan Gjykatës së Lartë të kërkojë interpretim pranë Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkaq, tre nga të pandehurit e tjerë , duke përfshirë edhe të arrestuarit Mihal Delijorgji e Dritan Minxholli, u shprehen se interpretimin e juridiksionit të gjykimit të tyre e lënë në çmim të gjykatës.
Tre të pandehur të tjerë nuk kishin asnjë kërkesë për gjykimin e tyre. Avokati i Ylli Pinarit kërkoi të njihej me dosjen, ndërsa, avokati i të pandehurit Fatmir Mediu, kërkoi nga gjykata të pranohet kërkesa e 21 të pandehurve për veçimin e çështjes së tyre dhe gjykimin pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet. Edhe për këtë kërkesë, gjykata vendosi të shprehet më 22 maj ora 10:00 në seancën e radhës.
Rikthehet gjyqtari i i Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni, i plagosur në muajin janar të këtij viti nga persona ende të panjohur. Lajmi është bërë i ditur për gazetën "Shekulli", nga burime të besueshme të Gjykatës së Lartë të cilët pohuan se Nuni, është rikthyer në detyrë pas gati dy muaj e më tepër mungese.
Nuni, mësohet se është kthyer një javë më parë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku qëndronte që prej muajit shkurt kur ai u largua së bashku me familjen e tij. Ky i fundit u largua në drejtim të SHBA-së, pak javë pas atentatit të kryer ndaj në afërsi të banesës tij në rrugën "Komuna e Parisit" nga persona ende të panjohur.
Për rreth katër ditë rresht Nuni qëndroi në ambientet e pavionit "Vip" të spitalit ushtarak, ku mori mjekimin e duhur për shkak të plagëve të marra në atentat. Vetëm pak ditë pas daljes nga spitali, Nuni bashkë me familjen e tij fluturoi në drejtim të SHBA-së, me argumentin se kishte nevojë për pushim dhe për këtë qe parë e arsyeshme të udhëtonte përtej Atlantikut.
Në Gjykatën e Lartë, nuk qe e vështirë të justifikohej mungesa e Nunit si anëtar i saj, për shkak të ngjarjes së rëndë ku ai mbeti i plagosur. Ndërkaq, rreth tri muaj pas ngjarjes së rëndë, ku anëtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni, mbeti i plagosur, Policia e Tiranës, zyra e Antiterrorit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, ende nuk kanë vënë gishtin mbi autorin e mundshëm duke bërë që kjo ngjarje të mbulohet me pluhur pa kuptim.
Tashmë Nuni, mund të jetë pjesë e trupit Gjykues që do të shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë për rishikimin e vendimit të Bashës.
VEÇIMIN E ÇËSHTJES
Dashnor Çaushaj
Armand Tartari
Luan Hoxha
Shpëtim Spahiu
Zija Bahja
Ndue Marku
Adriatik Mema
Gëzim Oshafi
Besnik Dauti
Agim Babameto
Rezart Tërshana
Denis Hajdari
Jorgo Mino
Fatbardh Kuçi
Zenun Fero
Hysni Çoçka
Fari Toska
Lavdi Shatro
Fiqiret Mato
Sokol Ngjeçi
Ardian Mullai
NUK KA KËRKESA
Shkëlzen Madani
Agim Lala
Ilmi LaÇi
ÇMIM TË GJYKATËS
Mihal Delijorgji
Dritan Minxholli
Juliana Margarita
TË NJIHET ME DOSJEN
Ylli Pinari