Leskaj: Harrojini zgjedhjet pa karta
Grupi parlamentar i PS-së kërkon një përgjigje serioze edhe për vrasjen e deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi
TIRANË- Partisë Socialiste po i soset durimi lidhur me procesin e deritanishëm të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti.
Kryetarja e grupit parlamentar e PS-së, Valentina Leskaj, ka deklaruar dje në Kuvend se mazhoranca duhet t'i harrojë zgjedhjet pa kartat e identitetit. "Me sa duket jeni angazhuar për të manipuluar procesin zgjedhor përmes kartave, që padyshim ne jemi këtu për të mos e lejuar.
Dua t'ju përsëris edhe njëherë, në emër të grupit parlamentar të PS-së, që t'i harroni zgjedhjet pa karta, ndaj merrni masa sa nuk është vonë",- tha dje Leskaj gjatë seancës parlamentare.
Kryetarja e grupit parlamentar socialist ka theksuar se ecuria e procesit nuk jep asnjë garanci se të gjithë shqiptarët do kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën kushtetuese për të votuar.
"Sot, ende në 31 njësi nuk ka filluar procesi i aplikimit, nuk ka asnjë stacion lëvizës edhe pse, sipas kontratës, duhej të kishte 100 stacione të tilla. Këto janë njëra anë, po Ministria e Brendshme dhe shërbimi postar janë përgjegjëse për shumë pengesa të procesit.
E para lidhet me transparencën. Me gjithë kërkesat e vazhdueshme, ne ende nuk kemi listën e saktë të njerëzve pa pasaportë dhe diferenca mes numrit të deklaruar nga ministria dhe atyre që realisht nuk disponojnë pasaportë, është i madh.
Mungesa e transparencës e vë në dyshim serioz procesin",- tha Leskaj. Ajo shtoi se disa njësi vendore po bëhen pengesë ose veprojnë në mënyrë selektive për zbatimin e vendimit 366 të qeverisë dhe udhëzimit.
"Shpërndarja e kartave, edhe për ata që kanë aplikuar, është me shumë vonesë, deri dy muaj. Konfuzioni në disa stacione aplikimi mbetet shqetësues. Problemet që hasin qytetarët për të marrë kartat provojnë mungesën e vullnetit të qeverisë, për të zbatuar detyrimin ligjor për pajisjen e shtetasve me karta",- tha ajo.
Po dje, në emër të grupit parlamentar të PS-së, Leskaj ka kërkuar një përgjigje serioze nga ana e shtetit për vrasjen e deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi. "U bë më shumë se një javë nga vrasja kriminale e deputetit të opozitës, Fatmir Xhindi.
Në emër të grupit parlamentar të PS-së, dua t'ju them se ne kemi respektuar kujtimin e mikut, kolegut tonë të nderuar e të paharruar, Fatmir Xhindi, të cilit dora kriminale i mori jetën.
Ngjarja është shumë e rëndë. Është vrarë një politikan i opozitës në prag të zgjedhjeve parlamentare",- tha Leskaj, e cila shtoi se një ngjarje e tillë nuk mund të mbetet në heshtje e as mund të trajtohet me motive banale.