Aksidenti bllokon rrugën nacionale
Një aksident i ndodhur mesditën e së dielës në aksin rrugor Fier-Ballsh ka bllokuar këtë aks për rreth dy orë. Dy autovetura janë përplasur në afërsi të zonës së njohur me emrin Transport, rreth 1 kilometër larg kthesës së Ballshit. Përplasja ka qenë pa pasoja të rënda për drejtuesit e mjeteve dhe pasagjerët, por mjetet janë dëmtuar rëndë dhe nuk mund të lëvizeshin nga rruga. Për më tepër se dy orë rruga është bllokuar dhe gjatësia e vargut të makinave që prisnin, ka shkuar në disa kilometra. Me gjithë ndërhyrjen e policisë rrugore, situata në trafik nuk është normalizuar që nga ora 13:00 deri pas orës 15:00. Vonesa e mjeteve që do të transportonin makinat e aksidentuara ka qenë edhe shkaku i këtij kaosi. Kujtojmë se tri ditë më parë, për shkak të batimit të një mauneje, u bllokua trafiku në rrugën Ballsh-Tepelenë.
#