E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, çmime reference për ndërtimin

 

Fabiola Çela

Për herë të parë pas kaq vitesh qeveria ka vendosur që të aplikojë çmime reference për ndërtimin. Qeveria i ka hapur dritën jeshile projektvendimit për përcaktimin e çmimeve të referencës në projektet e infrastrukturës. Me anë të këtij projektvendimi qeveria përcakton jo vetëm çmimet e lëndëve të para, transportit, por numrin dhe pagat e punëtorëve. Gjithashtu përcaktohen edhe taksat që duhet të paguhen. Ky vendim i qeverisë merret në kohë kur pjesa më e madhe e projekteve rrugore kanë përfunduar ose janë drejt përfundimit.
Projektvendimi
Manualet teknike të çmimeve dhe analizave teknike të proceseve të punës në ndërtim shërbejnë për llogaritjen e preventivave të objekteve të ndërtimit. Çmimet e projekteve të infrastrukturës janë hartuar gjatë viteve ’90. Edhe pse kanë kaluar kaq vite është vazhduar të punohet me po ata çmime të miratuara në atë kohë. Në vitin 2003 u miratua udhëzimi ’Për klasifikimin dhe strukturën e kostos së punimeve të ndërtimit’, ku u bë një përpjekje për të disiplinuar kontrollin mbi strukturën e kostos por pa arritur rezultat. Në një situatë të tillë Ministria e Transportit ka përgatitur manualet teknike të çmimeve, të cilat do të përditësohen çdo gjashtë muaj. Nëpërmjet këtyre manualeve hartohen preventivat e punimeve, por ajo çka është edhe më e rëndësishme është fakti se në këto manuale hartohet edhe analiza e çmimeve. Pra, me anë të këtyre manualeve qeveria vendos çmimin sa paguhen punëtorët në ndërtim, çmimet e materialeve të ndërtimit, të transportit dhe makinerive. Gjithashtu me anë tyre përcaktohen taksat dhe fitimet. Konkretisht, përcaktohen në detaje numri i punëtorëve që duhen punësuar për ndërtimin e një objekti si dhe pagesa e tyre, duke përfshirë këtu edhe taksat që duhen paguar. Për herë të parë qeveria ka hartuar preventiva të plotë për materialet përsa i përket vëllimit dhe vlerës. Është përcaktuar edhe numri i makinerive që i duhen një kompanie ndërtimi për realizimin e një projekti infrastrukture. Përcaktimi i çmimeve për të gjithë këto elementë ndihmon në llogaritjen e kostos përfundimtare të projektit, kosto e cila ju transmetohet kompanive të ndërtimit që kanë marrë përsipër të realizojnë këto projekte. 

Reagojnë ndërtuesit: Jemi kundër vendimit

Ndërtuesit janë shprehur kundër vendimit të qeverisë për zbatimin e çmimeve të referencës për lëndët e para në projektet e infrastrukturës. Sipas tyre, ky vendim është në kundërshtim me rregullat e tregut të lirë, ku çmimet përcaktohen nga ofertë-kërkesa dhe nuk imponohen. Madje, ata nuk kanë hezituar të deklarojnë se në këtë projektvendim çmimet e referencës janë vendosur në mënyrë arbitrare nga ekzekutivi. Ata theksojnë se, gjatë hartimit të këtij projektvendimi nuk është marrë parasysh mendimi i tyre. Por përveç kësaj ndërtuesit i tremben faktit se qeveria dhe administrata tatimore, duke shfrytëzuar vendimin e një dite më parë, mund të zbatojnë çmimet e referencës edhe për ndërtimet private, siç janë pallatet. Jo pak herë ndërtuesit e infrastrukturës rrugore kanë kërkuar nga qeveria që të kryhet indeksimi i çmimeve për materialet e ndërtimit, pasi sipas tyre, kohët e fundit çmimet e materialeve të ndërtimit janë rritur ndjeshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›