E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Në Shqipëri po qeveriset me stilin e Arturo-UI

 

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, gjatë fjalës së tij në Konferencën e LRI-së së Tiranës u shpreh se, vendi po qeveriset me fenomenin e gangsterizmit. “Ndaj jemi krenarë që askush në këtë lidhje nuk ka asnjë njohje me Fazlliçin. Nuk e njohim as në Shqipëri, as në Paris, as në Uashington dhe as në Sarajevë. Atë e njohin ata të kastës, e njohin ata që kanë futur tashmë në qeverisjen e vendit fenomenin e gangsterizmit, që nuk është gjë tjetër, por veçse ai i shfaqjes së Arturo-UI të rinj dhe modernë, të atyre që kërcënojnë dhe shantazhojnë përfaqësuesit e popullit shqiptar që të mos hapin gojën, të atyre që shtantazhojnë se mund të sjellin përfaqësues të krimit ballkanik në Parlament, për t’i treguar vendin opozitës; të atyre që e ndryshuan Kushtetutën siç e ndryshonte Arturo-UI i vërtetë, shumë dekada më parë”, tha Meta.
Kryetari i LSI-së duke folur për efektet negative që kanë sjellë ndryshimet kushtetuese në qeverisjen e vendit, e cilësoi 21 prillin e këtij viti si dita e dytë e zezë e prillit në historinë e vendit. Sipas tij, “LSI është forca kryesore opozitare dhe shpresëdhënëse në Shqipëri tashmë, kundër pushtimit të një kaste gangsterësh”. “Shqipëria ka nevojë për alternativën tonë progresiste, që shteti të jetë aktiv dhe të veprojë për politika të drejtë rishpërndarjeje të të mirave të krijuara, sepse të mirat e krijuara në këtë vend thithen nga puset e zinj të korrupsionit dhe politikat e dështuara të qeverisë së Berishës. Sepse, pavarësisht nga pretendimet për rritjen ekonomike, shumica e qytetarëve shqiptarë nuk përfitojnë dhe nuk prekin aspak në familjet e xhepat e tyre këtë rritje ekonomike, sepse edhe ajo shkon në pak duar dhe në pak xhepa të lidhur me kastën”, u shpreh Meta. Kreu i LSI-së i tha të rinjve se politika progresiste qëndron tek forca e tyre politike që nuk pajtohet me aferat korruptive. “Politika progresiste është ajo ku qytetarët vendosin vetë për fatet e tyre. Është ajo ku ata bëjnë zgjedhjen e tyre për qeverisjen. Është ajo ku ata vendosin për Kushtetutën e tyre. është pikërisht ajo politikë, ku njerëzit nëpërmjet votës së tyre të barabartë vendosin në mënyrë të vazhdueshme për ata që do t’i drejtojnë. Politika progresiste është ajo ku respektohen interesat jetike të qytetarëve. Progresiste është ajo ku mbrohet dhe zhvillohet ambienti e mjedisi, dhe jo ku shkatërrohet në mënyrë konsensuale për të siguruar përfitime prej miliardësh për një kastë të caktuar”, vijoi Meta.                       a.l.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›