Fuoristradat, biznes me mbylljen e tunelit Rrëshen-Kalimash
Që nga dita e mbylljes së tunelit të Kalimashit, në agjenci nuk shikon më radhë njerëzish për t‘u nisur drejt Tiranës. Tashmë njerëzit duket se janë "izoluar", nuk udhëtojnë pa motive shumë të forta. Mbyllja e tunelit të Kalimashit, pas shumë muajsh funksionimi dhe rinisja e lëvizjes në rrugën e vjetër ka krijuar një variant të mesëm shumë tërheqës për udhëtarët, atë të by pass-it të Tunelit. Rruga e shkurtër, që kalon sipër masivit të malit të Thirrës dhe Kalimashit, është jo më shumë se 22 kilometra dhe ka ekzistuar edhe më parë, por për shkak të terrenit të vështirë mund të përshkohet vetëm me fuoristradë, duke krijuar një rast të volitshëm për pronarët e këtyre automjeteve. Udhëtarët tashmë kanë nisur "të gjuajnë" këto lloj mjetesh, jo vetëm për të arritur më shpejt në Tiranë, por edhe më komod. Rruga e vjetër, siç tregojnë udhëtarët dhe siç njihet nga të gjithë ata që e kanë përshkuar, zgjat deri në 8 orë dhe është shumë e lodhshme. Me by pass-in e Thirrës, udhëtimi nga Kukësi në Tiranë zgjat vetëm 2 orë e 50 minuta, nga dy orë që ka zgjatur kur funksiononte tuneli. Vetëm by pass-i zgjat 40-50 minuta në një trase të vjetër të pashtruar me asfalt. Por kjo rrugë u merr udhëtarëve edhe tarifën më të shtrenjtë të mundshme, tashmë udhëtimi kushton deri 1.500 lekë për person. Te vendi i quajtur agjencia e udhëtarëve në Kukës nisen çdo ditë deri në 20 fuoristrada me pasagjerë, një biznes në të cilin gjen jo vetëm targat e Kukësit, por edhe të Tiranës apo Durrësit. Çmimi më i lirë i aplikuar nga ta për linjën Kukës-Tiranë me drejtim mbi tunelin e Thirrës ka kushtuar 1200 lekë, ndërsa çmimi që aplikohet më së shumti është 1500 lekë për një person, pa llogaritur që në rastet e urgjencave apo në mbrëmje vonë, çmimi shumëfishohet disa herë. Me fuoristrada udhëtojnë zakonisht studentët e vonuar, nëpunës të administratës, biznesmenë, etj., duke bërë edhe kategorizimin cilësor të udhëtarëve, në të kamur që udhëtojnë nga Thirra dhe në të varfër që udhëtojnë me autobus nga Qafa e Malit. Në kohën e debateve për mbylljen apo jo të tunelit për një kohë të pacaktuar, ka pasur zëra që kanë kërkuar asfaltimin e mbi tunelit, por siç duket ato kanë hasur në indiferencën e qeverisë. Ndoshta për shkak të zhurmës dhe kritikave lidhur me fondet e harxhuara për autostradën.
Rreth 100 metra, përpara betoneve që bllokojnë kalimin në Tunel, kalon rruga e by pass-it që përshkon nga sipër malin e Kalimashit dhe atë të Thirrës. Është një rrugë e shtruar me zhavorr nga "Bechtel-Enka", pasi kjo kompani e ka përdorur rreth dy vjet për transport në dy anët e Tunelit, por si trase është shumë e vjetër. Por burimet historike tregojnë se i takon periudhës romake dhe pararomake. Madje deri në mesjetën e vonë është shënuar si rruga e vetme që lidhte Lindjen dhe Perëndimin, ajo e moçmja dhe e famshmja Lissus-Nais (Lezhë-Nish). Sidoqoftë ky by pass nuk është pa probleme. Pa llogaritur lartësinë mbi nivelin e detit, që shkon në 1050 metra, nuk është shumë i sigurt për lëvizjen e mjeteve. Aty dy muaj më parë, në kohën kur tuneli u mbyll vetëm për tri ditë për disa riparime, u grabitën dy shtetas kosovarë nga udhërrëfyesi që ata kishin paguar. Përveç kësaj në dy segmente, siç tregojnë shoferët, traseja ka një pjerrësi të theksuar gjë bën të pamundur lëvizjen e mjeteve të tilla si autobus apo autoveturë.