E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri politik lë pa strehë të pastrehët

Lista e të pastrehëve përfitues ende nuk hartohet përfundimisht, familjet në ankth për përfshirjen në të. Është shtyrë sërish çështja e listës së të pastrehëve durrsakë, që pritet të përfitojnë nga banesat sociale të ndërtuara për ta në zonën e Shkozetit të Durrësit. Përplasjet pozitë-opozitë brenda Këshillit Bashkiak të Durrësit edhe mbrëmjen vonë të së premtes kanë zvarritur miratimin e listës së familjeve që përzgjidhen si përfituese në fazën e parë të marrjes së shtëpive dhe lënies së statusit të të pastrehut. Në mbledhjen e radhës, mazhoranca e përbërë nga PD-ja dhe aleatët e saj, kanë paraqitur një listë të përbërë nga 24 emra, një pjesë e të cilëve kanë qenë në listën e paraqitur nga bashkia dhe të kundërshtuar prej tyre. Shumica e këshilltarëve kërkoi që 24 emrat e tjerë, të vendoseshin në listë nga pakica në Parlamentin lokal. Ky propozim u shoqërua me jo pak debate, pasi vendosja e emrave në listë ka shkaktuar prej muajsh përplasje dhe vonesa, që rëndojnë mbi familjet që presin të përfitojnë nga kushtet lehtësuese të të bërit pronar të një apartamenti në pallatet sociale, të ndërtuara enkas për këtë kategori. Javën e ardhshme pritet të paraqitet lista përfundimtare me emrat e 48 familjeve. Në rast miratimi, lista do të publikohet në pritje të ankimimeve dhe plotësimit të dokumentacionit nga çdo pjesëtar i saj. Kjo ka qenë çështja më e rëndësishme në rendin e ditës së këshillit bashkiak që vijon të mbajë peng qindra familje të varfra që kanë statusin e të pastrehut dhe presin të përfitojnë nga këto banesa sociale. Strehimi ngelet një problem i mprehtë social në Durrës dhe shumë familje vazhdojnë të jetojnë në kushte të vështira, nën presionin e mungesës së një shtëpie të vetën. Ndërkohë kujtojmë që në mbledhjen e mëparshme, Këshilli Bashkiak i Durrësit vendosi fillimin e procedurave të privatizimit për afro 500 familje, të cilat prej afro dy dekadash janë strehuar në ish-kabinat e plazhit të Durrësit, të përqendruara në 11 objekte, me vendim të komitetit ekzekutiv pluralist që funksiononte në vitin 1991. Këto familje gëzojnë statusin e të pastrehëve dhe miratimi i kërkesës i ktheu në pronarë, banorët aktualë qiramarrës dhe zhbllokoi përfundimisht transaksionet dhe investimet mbi këto godina. Të gjitha familjet kanë qenë të rregullta në shlyerjen e detyrimeve financiare ndër vite dhe tashmë ambientet e tyre të banimit, pjesa dërrmuese e të cilave ndodhet në gjendje tejet të amortizuar, do t‘u kalojnë në pronësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›