E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fuqia e së keqes

Nga Ndue Ukaj

Dijetari i mirënjohur francez, Saint Beuvit, shkruan: “Kur mendojmë sinqerisht të kaluarën, kur e kuptojmë mirë atë, do të thotë se e kemi vështruar saktë të ardhmen”. Kjo referencë mund të merret si e qëlluar për të interpretuar sadopak rëndësinë e reflektimit pozitiv ndaj historisë. Në dimensionet shqiptare, mendoj se ka një semantikë të sforcuar dhe kësisoj ndihmon diskursin lidhur me debatin për marrëdhëniet tona me historinë.

Për pesë dekada, Shqipëria ishte pjesë e politikës më çnjerëzore të mundshme, të drejtuar nga diktatori Enver Hoxha. Piramida e një diktature të ndërtuar me pasione të tmerrshme dhune, gjaku e krimi ka rënë, por flukset e saj ende vërtiten pa fije turpi dhe ngrehin kokën nga mbeturinat e trishta, duke i mohuar krimet. Mosnjohja e krimit dhe mospendimi për krimet është dyfishim i krimeve. Këtë gjë e ka bërë e veja e diktatorit Hoxha me paraqitjen e saj në TCH. Ajo, duke u çjerrë si një qaramane, kërkoi, pos të tjerash, të rishkruhet historia dhe çmendurisë t’i jepet vend në historinë shqiptare, pra që krimet të mos quhen krime, të pushkatuarit dhe të dënuarit të shpallën edhe njëherë tradhtarë dhe të vriten barbarisht. Një marrëzi e pakripë, që mund të dalë vetëm nga goja e një njeriu të inkriminuar deri në ekstrem. Në të vërtetë, ky soj i diskursit, thënë shkurt, është shpërfaqja e trajtave më tragjike te mbeturinave të zeza të një diktature që ka prodhuar dhunë, krime, urrejtje. Por paradoksi, sa qëndron tek e inkriminuara, aq për mendimin tim qëndron te dishepujt e saj, ata të cilët i krijojnë hapësirë për të plasuar ajo në opinion marrëzirat e saj. Askush s’do të priste të kundërtën e asaj që e thoshte Nexhmija, por është e pafalshme që asaj t’i lejohej të predikojë dhe së këndejmi të dëshmojë për historinë tragjike, kur ajo vetë ishte shkaktarja e kësaj tragjedie, në mos kupola e saj. Në realitet ajo duhej dënuar për mosnjohjen e krimeve, ashtu siç ndodh në gjithë botën e qytetëruar. Prandaj ka të drejtë Agron Tufa, i cili këto ditë shkruante se: “Absurditeti për mua nuk qëndron në produktin oral të një krimineleje, e cila vendin duhej ta kishte, pa asnjë ekzagjerim, në Tribunalin e Hagës”. S’do mend që ajo vendin nuk do të duhej ta kishte në Shqipërinë e liruar nga kthetrat e egra të pushtetit të saj, por duke vuajtur dënimet për bëmat e tmerrshme. Madje, s’do mend që ajo s’do të duhej lejuar të predikonte për historinë, kur dihet botërisht se ka qenë pjesë e krimeve të panumërta që historia do t’i njohë si të tilla përgjithmonë. Në të vërtetë, ajo duhej të ishte në vendin e merituar (në Hagë), për faktin se do ta çlironte Shqipërinë nga një barrë e rëndë, tejet e rëndë që vazhdon të qëndrojë si plagë e dhimbshme mbi supet e saj të molisura nga diktatura.

Tanimë po bëhen afër dy decenie që kur perdja e hekurt e diktaturës ka rënë dhe demokracia ka përshkuar Shqipërinë, ashtu si në gjithë vendet e tjera të Evropës. Por, në dimensionet shqiptare ndodh që paradoksit më të pazakontë dhe çnjerëzor synohet t’i jepet kuptim. Është e trishtueshme të shihet se si gjurmët e këtij regjimi çnjerëzor akoma nuk janë zhdukur në Shqipëri. Përkundrazi, pasionet e egra dhe ogurzeza predikojnë në mënyrën më tragjike. Madje, duke pretenduar në mënyrën më të paskrupullt të maskohen krimet e panumërta dhe të ditura botërisht, si dhe vetë aparati i tërë kriminal që ka shkatërruar jetë të tëra. Kjo tendencë e marrë bëhet me qëllime të menduara, që diktatorit dhe sistemit të tij t’i rikthehet vendi në historinë shqiptare. Duke synuar të vërë kuptime të reja në realitetet e sotme shqiptare, me një pikëqëndrim në ridimensionimin e periudhës së diktaturës së çmendur, e veja e Hoxhës jo që nuk kërkon falje para popullit të saj, por përkundrazi pohon të kundërtën e asaj që ka ndodhur, që është një krim i rëndë dhe i dënueshëm. Çdokush që ka parë apo lexuar intervistën e njeriut që ka qëndruar në piramidën e aparatit kriminal në Shqipëri, të vesë së diktatorit Hoxha, do të jetë ndjerë i trishtuar, i pikëlluar dhe i revoltuar.

T’i jepet mundësia diktatorit të rrëfejë, kjo s’do koment. Gjëra të tilla ndodhin në realitetin shqiptar. Në botën e qytetëruar kjo as që mund të imagjinohej. “Zëri është tregues dhimbjeje e kënaqësie, porse atë e kanë edhe kafshët të tjera; ndërsa fjala ekziston për të shprehur çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe, çfarë është e drejtë dhe çfarë është e padrejtë”, - shkruan dijetari spanjoll Josep Ramoneda. Nexhmije Hoxha nëpërmjet fjalës edhe njëherë ka bërë krime të rënda mbi popullin shqiptar, duke u bërë pengesë për të kundruar historinë nga perspektiva e së ardhmes.

Është momenti i rëndësishëm që kombi shqiptar të reflektojë drejt dhe të kuptojë se “pushteti lindi prej fjalës”, prandaj s’duhet lejuar kush që të manipulojë më të, në të kundërtën duhet të ndëshkohet. Hiç më pak, ata që kanë masakruar me fjalë, nuk duhen lejuar që me komoditet të predikojnë dhe të edukojnë të tjerët. S’do mend që diktatura ka lënë gjurmë dhe nostalgjikët e diktaturës nuk mund të çlirohen nga adhurimtaria për diktatorin. Të tillë ka kudo në hapësirat shqiptare, por ata duhen izoluar për hir të së ardhmes dhe perspektivës. Prandaj është e turpshme për mediat e Tiranës t’i japin hapësirë për të rikuperuar krimet kriminelit, dhe po aq e turpshme dhe skandaloze që liderë të Kosovës, madje krerë të lartë të institucioneve të varin në muret e tyre portretin e diktatorit. Një gjë të tillë e kam parë vetëm para disa ditësh në RTK. Kjo paralele flet shumë. Kush ka veshë, le të dëgjojë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›