E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreditë e këqija rriten me 35% vetëm për 3 muaj

Nga Fitim Zekthi

Sasia e kredive të këqija, sipas llogarive zyrtare, ka arritur në mbi 400 milionë dollarë, duke bërë që alarmi ta rrisë praninë e tij në sistemin bankar në nivelet më të larta të kapura ndonjëherë. Pas një rritjeje të sasisë së kredive që japin bankat për ekonominë dhe sidomos për ndërtimin, tashmë janë verifikuar një pjesë e mirë e kredive të këqija. Të dhënat bëjnë më dije se ende nuk mund të thuhet se kreditë e këqija janë 400 milionë dollarë, pasi shumë të tjera ende nuk janë shfaqur si të tilla, pasi bankat përpiqen t’i fshehin ose ato janë kredi të reja dhe nuk kanë shfaqur këtë problem. Sipas të dhënave zyrtare vetëm gjatë 3 muajve të parë të vitit 2008, bankat në vend kanë raportuar një rritje të kredisë me probleme me 100 milionë dollarë. Por, në këtë 100 milionë dollarësh të raportuar nga ana e bankave të nivelit të dytë përfshihen jo vetëm kreditë e humbura, por edhe ato të dyshimta dhe nën standarde. Në dy kategoritë e fundit përfshihen të gjithë ata klientë që kanë marrë një kredi dhe për shkaqe të ndryshme kanë shfaqur vonesa, duke rritur riskun e moskthimit. Në total, kredia në ndjekje, raportuar nga ana e Bankës së Shqipërisë, zë 10.12% të portofolit total të bankave. Më problematike nga ana e specialistëve vlerësohet rritja e shpejtë gjatë 3 muajve të parë të këtij viti e kredisë me probleme. Sipas të dhënave të bankave ajo shkon në 35%, duke treguar se këto institucione duhet të jenë më të vëmendshme në përzgjedhjen e klientëve. Në raport me totalin e kredive dhe në raport me fuqinë likuiduese të bankave ende kreditë e këqija mbeten të ulëta, por ajo që e bën shqetësuese gjendjen është mundësia e madhe për një rrezik shtesë të kreditit. Me një ritëm përkeqësimi që shkon në 35% për 3 muajt e parë të vitit 2008, sistemi bankar duket se është përballë një sfide të vërtetë në ruajtjen e cilësisë së këtij borxhi, që kryesisht ka një moshë të re. Pjesa më e madhe e kredive të dhëna fillojnë që nga fundi i vitit 2005 e në vazhdim dhe kapaciteti pagues i klientëve të bankave mbetet ende i pavlerësuar. Nga kredia në ndjekje, ose me probleme, që në total shkon në 400 milionë dollarë, rreth 120 milionë dollarë janë kredi e keqe e padiskutueshme ose ajo që nuk mund të mblidhet më nga ana e bankave. Sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë 3 muajve të parë të vitit 2008, bankat në vend kanë raportuar një rritje të kredisë me probleme me 100 milionë dollarë. Por veç kredive, tashmë të klasifikuara si me probleme, Banka e Shqipërisë ngre edhe një problem tjetër, që ka të bëjë më informacionin jo të plotë që jepet në ketë drejtim nga ana e bankave të nivelit të dytë, duke fshehur në një pjesë të konsiderueshme riskun që mund të vijë nga ky aktivitet. Ka qenë Banka e Shqipërisë ajo që ka bërë të ditur se, megjithëse statistikat tregojnë se ende përqindjet e kredive të këqija janë të ulëta, përsëri është i domosdoshëm një lloj kujdesi në këtë drejtim. Rritja e madhe e çmimeve, në kushtet kur pasuritë e paluajtshme përbëjnë rreth 80 për qind të kolateralit, mbart një potencial negativ në rast të materializimit të rënies së menjëhershme të çmimeve në tregun e aseteve fikse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›