Furgoni bie në lumë, vdesin burrë e grua
Sali e Fatmira Kurmekaj kanë humbur jetën si pasojë e aksidentit automobilistik. Policia nxjerr dy trupat nga ujërat e lumit
TROPOJË- Një furgon me dy pasagjerë ka rënë dje në lumin Valbonë dukë shkaktuar vdekjen e drejtuesit të makinës dhe bashkëshortes së tij.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në aksin rrugor Sopot- Bajram Curri. Dëshmitarët okularë pohuan se rreth orës 16.15 minuta të ditës së djeshme, në vendin e quajtur kthesat e Cerrnicës, kanë parë një furgon ngjyrë blu dhe me targa të Bajram Currit. Ai ka devijuar rrugën dhe pasi është rrokullisur shpatit të lumit, ka përfunduar në ujërat e lumit të Valbonës.
Një grua që po kulloste delet aty afër ka pohuar se ka dëgjuar një zhurmë mbytëse dhe pastaj shpatit të lumit ka parë të rrokullisej një furgon. Sipas dokumenteve të gjetura në vendin e ngjarjes nga policia, automjeti drejtohej nga Sali Kurmeka, 50 vjeç,shofer i automjetit nga fshati Begaj. Ai ishte shoferi i furgonit që transportonte nxënësit e shkollës në linjën Begaj-Bajram Curri.
Gjatë këqyrjes së vendit nga policia nuk u gjet asnjë pasagjer por dëshmitarët kanë pohuar se kanë parë në ujërat e lumit dy njerëz, një mashkull dhe një femër.
Pak orë më pas burimet zyrtare të policisë pohuan se viktimat ishin Sali e Fatmira Kurmekaj, nga fshati Begaj i komunës Tropojë e Vjetër.
Një grup hetimor i policisë së Tropojës ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe pas hetimeve paraprake ka rezultuar se dalja e automjetit nga rruga ka ardhur si pasojë e pakujdesisë së drejtuesit.
Policia ka bërë të mundur nxjerrjen e dy trupave të pajetë nga ujërat e lumit Valbonë ku i kishte hedhur furgoni gjatë përmbysjes.
Burime të policisë bëjnë të ditur se në automjetin tip furgon, në momentin e aksidentit nuk ka pasur persona të tjerë. Në segmentin e rrugës nga fshati Cernicë deri tek Ura e Valbonës janë shënuar një numër i madh aksidentesh. Kjo ka ardhur se kjo pjesë e rrugës është e ndërtuar në një shpat në një pjerrësi të madhe. Rruga është e ngushtë, ndërkohë që mungojnë edhe brezat e sigurisë.
Vdes punëtori, ra nga ura e autostradës
KUKËS- Ura në ndërtim e Kolshit, pjesë e autostradës Durrës-Kukës-Morin ka shënuar viktimën e tretë. Përparim Kryeziu, 60 vjeç nga Qukësi i Librazhdit ka gjetur vdekjen si pasojë e rrëzimit nga ura me një lartësi prej 60 metrash. Ngjarja ka ndodhur mesditën e së shtunës kur viktima ka qenë duke punuar mbi urë.
Policia, e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes, konfirmon se rrëzimi ka qenë aksidental si pasojë e rrëshqitjes të një llamarine mbrojtëse nga ura. Burime të policisë bëjnë të ditur se janë shoqëruar dhe po merren në pyetje një grup personash të kompanisë, të cilët dyshohen se kanë përgjegjësitë e tyre lidhur me ngjarjen.
Policia dhe prokuroria e Kukësit po hetojnë lidhur me akuzën për "shkelje të rregullave të sigurisë në punë me pasojë vdekjen e një shtetasi". Viktima e regjistruar mesditën e 3 prillit ka çuar në pesë numrin e viktimave me pasojë vdekjen në punë që regjistrohen në autostradën Durrës-Kukës-Morinë dhe viktimën e tretë me pasojë vdekjen pikërisht në të njëjtën urë. Më 23 nëntor të vitit të shkuar gjetën vdekjen Arben Muçmata, 40 vjeç, dhe maqedonasi Branko Cvetkov. .