Prokuroria tërheq për rihetim, për "trafikantin e femrave"

HETIM
Dy femrat që kallëzuan të akuzarin Veshi, ndryshuan deklarimet e tyre duke pohuar se nuk janë trafikuar
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, pas tre muaj shqyrtim gjyqësor u "detyrua" të tërheqë dosjen penale në ngarkim të shtetasit Antonio Veshi, pasi dy kallëzueset ndryshuan dëshminë para togave të zeza me atë të dhënë pranë hetuesit të Prokurorisë.
Pas ndryshimit të deklarimeve, prokuroria i kërkoi Gjykatës së Krimeve të Rënda të pranojë kërkesën e tërheqjes së akteve hetimore për të vazhduar hetimet. Pas kësaj kërkese, pesëshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Liljana Baku vendosi pranimin e kërkesës së prokurorisë, e cila tërhoqi aktet për vazhdimin e hetimeve.
Ndërkohë, dy ditë më parë, vetë i pandehuri i arrestuar me ndihmën e avokatit të tij mbrojtes ka kërkuar revokimin e masës së sigurisë nga "arresti me burg" në gjendje të lirë. Sipas prokurorisë, shtetasi Antonio Veshi ishte kallëzuar nga dy vajza nga rrethi i Bulqizës, që sipas tyre, Veshi i kishte trafikuar në Maqedoni duke i shfrytëzuar atje për prostitucion në një lokal nate. Pas këtij kallëzimi policia me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe në zbatim të vendimit të kësaj gjykate e cila kishte caktuar masën e sigurisë "arrest me burg".
Në zbatim të këtij vendimi policia më 17 tetor 2009 arrestoi në banesën e tij në qytetin Bulqizë shtetasin Antonio Veshi. Ndaj të arrestuarit rëndonin akuzat e "Shfrytëzimit të Prostitucionit" dhe "Trafikimit të Femrave" drejt Maqedonisë. Por, edhe pse hetimet për dosjen kishin përfunduar duke dërguar dosjen në gjyq, para togave të zeza dy vajzat kanë ndryshuar dëshmitë duke i lehtësuar pozitën të arrestuarit që pritet të lirohet tashmë. Sipas kallëzimit, Veshi i kishte trafikuar drejt Maqedonisë vajzat gjatë fund vitit 2008 dhe fillim të vitit 2009.