Furgoni përplaset me maunen në Qafë Thanë, 1 e vdekur, 7 të plagosur
Të dëmtuar rëndë pasagjerët e furgonit, dy transportohen në Tiranë. Humb jetën 63-vjeçarja Flutura Yzi
Shoqërohet drejtuesi turk i maunes. Sipas policisë, shkak dyshohet lagështira dhe shpejtësia e mjetit
PERRENJAS-Një 63-vjeçare ka gjetur vdekjen, ndërsa 7 persona kanë mbetur të dëmtuar si pasojë e përplasjes së një furgoni me një mjet të tonazhit të rëndë. Flutura Yzo ishte duke u kthyer në vendlindje, kur është përfshirë në aksidentin që i ka kushtuar jetën. Kurse pasagjerët e tjerë kanë mbetur të plagosur, mes të cilëve, sipas policisë, dy ndodhen në gjendje kritike për jetën dhe janë transportuar drejt Tiranës. Të plagosurit, pas aksidentit janë dërguar me urgjencë për në spitalin e Librazhdit, ku po mbahen nën trajtim intensiv, ndërkohë që mjekët sqarojnë se janë në pritje për të dhënë detaje rreth gjendjes së tyre shëndetësore.
Ngjarja është regjistruar dje rreth orës 14.00, në vendin e quajtur kthesat e Qafë Thanës. Furgoni me targa KO 553 A, i drejtuar nga shtetasi, Ilir Gjanci është përplasur me mjetin tip IVECO me targa turke 35 RJ 175, që drejtohej nga shtetasi Keman Simpse. Dymjetet janë përplasur mes tyre dhe goditja mësohet se ka qenë e fortë. Aq sa një nga pasagjeret mbeti e vdekur dhe 7 të tjerët u dëmtuan rëndë, në pjesë të ndryshme të trupit. Sipas burimeve zyrtare të policisë lokale, mësohet se drejtuesi i mjetit të tonazhit të rëndë është ndaluar nga policia, menjëherë pas aksidentit të rëndë.
Nga përplasja kanë përfunduar me dëmtime të rënda, 7 shtetas përfshi edhe drejtuesin e mjetit. Mësohet se të plagosurit fillimisht janë transportuar për në spitalin e Librazhdit, ku edhe kanë marrë ndihmën e parë. Burime spitalore bëjnë të ditur se kanë mbërritur të dëmtuar nga aksidenti shtatë persona. "Të gjithë personat e plagosur si pasojë e përplasjes së furgonit me mjetin e tonazhit të rëndë janë nga qyteti i Korçës",- thonë burime të policisë. Mësohet se dy prej të plagosurve, që kishin pësuar dëmtime më të rënda u transportuan për në spitalin Ushtarak.
Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur efektiva të policisë rrugore dhe një grup hetimor. Nga ekspertiza e bërë në vendin e ngjarjes dhe hetimet paraprake të bëra nga ekspertët mësohet se mjeti i tonazhit të rëndë ka humbur kontrollin duke dalë në kahun tjetër. Shkak sipas hetimeve mendohet të ketë qenë rrëshqitja si pasojë e lagështirës dhe shpejtësia tej normave të lejuara. Shtetasi turk ishte duke transportuar një sasi detergjentësh nga Turqia dhe sapo kishte kaluar kufirin maqedonas. Gjithsesi rezultatet përfundimtare të ekspertizës do të përcaktojnë edhe shkaqet e vërteta të këtij aksidenti që i kushtoi jetën gruas 63-vjeçare. Kthesat e Qafë Thanës disa herë janë cilësuar si problematike për sa i përket numrit të madh të aksidenteve me pasoja për jetën.
Të plagosurit
Valter Lumani 61-vjeç
Sali Guma, 34-vjeç
Albert Meçe, 25-vjeç
Alban Guma, 24-vjeç
Gëzim Vëthi. 28-vjeç
Blerim Lleshi, 23-vjeç
Ilir Gjanci