Tmerr në Metalurgjik, 1 i vdekur, 10 të plagosur
Dhjetë punëtorë të tjerë ndodhen të plagosur në spital. Dyshimi, shpërtheu një predhë e mbushur që po shkrihej
Elbasan, tmerr në Metalurgjik,shpërthen furra e çelikut, 1 i vdekur
ELBASAN- Shpërthen një nga furrat e shkrirjes së Uzinës së Çelikut në Elbasan duke shkaktuar vdekjen e një punonjësi dhe plagosjen e rëndë të dhjetë të tjerëve. Ndërkohë një tjetër punëtor është në gjendje tepër të rëndë për jetën dhe mjekët nuk japin shumë shpresa për mbijetesën e tij. Shpërthimi i ndodhur në orët e mbrëmjes së djeshme ka shkaktuar një kaos total në mjediset e firmës Kurum por edhe në të gjithë qytetin. Zhurma dhe tronditja i kanë ngjarë një bombe gjigante duke terrorizuar përveç punëtorëve, edhe banorët e zonës. Deri në orët e vona të darkës ka qenë i pamundur zbulimi i shkakut të këtij shpërthimi pasi hyrja në vendin e ngjarjes ka qenë tepër e vështirë për shkak të temperaturave të larta. Nga të dhënat e para të grupit hetimor janë nxjerrë edhe dy motive që mund të kenë shkaktuar këtë katastrofë. Pista e parë është ajo e vendosjes pa dashje të një predhe të pa çmontuar në furrën e shkrirjes ndërsa pista e dytë është ajo e rënies së një sasie uji në furrë, i cili shkakton një shpërthim të ngjashëm me një bombë.
***
Të dhënat e para të dala nga grupi hetimor tregojnë për një katastrofë të vërtetë në mjediset e shkrirjes së metaleve në Uzinën e Çelikut në Elbasan. Rreth orës 19.30 në mjediset e kësaj uzine ndodheshin dhjetëra punëtorë të turnit të dytë. Një grup punëtorësh po bënin gati një prej furrave, në të cilën do të shkriheshin një sasi e madhe hekurishtesh që ishin mbledhur si skrap. Në morinë e hekurishteve ishin edhe disa predha të vjetra ushtrie, të cilat ishin çmontuar kohë më parë dhe tashmë po i nënshtroheshin procesit të shkrirjes. Dëshmitarët okularë pohuan se në pjesën e sipërme të furrnaltës kanë qenë përgjegjësi i turnit të mbrëmjes, Xhevit Nërgjoni 50 vjeç si dhe dy punëtorë të tjerë Veli Jahja dhe Mithat Dervishi. Teksa ata po vëzhgonin materialet që hynin në furrë, një shpërthim i fuqishëm i ka hedhur të gjithë në erë. Punëtorët kanë dëgjuar zhurmën dhe kanë ndjerë forcën e një bombe të vërtetë. Pas zhurmës shurdhuese gjithçka është pushtuar nga flakët, tymi mbytës dhe errësira. "Nuk mund të shikonim asgjë përveç flakëve dhe tymit ndërsa një erë e rëndë pushtoi të gjithë sallën. Ne nisëm të kërkonim njëri- tjetrin në mes të këtij ferri dhe më pas filluam të dilnim jashtë të ndihmuar edhe nga shokët tanë që ndodheshin larg furrës që shpërtheu",- pohoi dje një nga punëtorët që ka pësuar dëmtime të vogla nga shpërthimi.
***
Teksa tymi është darovitur dhe pamja është qartësuar janë vënë re edhe dëmet e para të kësaj katastrofe. Për përgjegjësin e turnit, Xhevit Nërgjoni, nuk ka pasur asnjë mundësi jete. Ai ishte pikërisht në grykën e furrës pa pasur mundësi të shpëtojë nga shpërthimi i fuqishëm. Trupi i tij ka rënë për tokë dhe shokët e tij kanë tentuar që ta ndihmojnë por kanë vënë re se për të nuk kishte më asnjë mundësi shpëtimi pasi kishte vdekur. Menjëherë disa ambulanca, mjete të rastit dhe efektiva të policisë kanë bërë transportin për në spitalin kirurgjik të Elbasanit të të plagosurve të tjerë.
SPITALI
Veli Jahja është transportuar me helikopter në kryeqytet. Mjekët nuk japin shumë garanci për jetën e tij
Një i plagosur në gjendje kritike për jetën
ELBASAN- Gjendja e tmerrit dhe panikut është transferuar pak minuta më pas nga furra e shkrirjes së çelikut në spitalin rajonal të Elbasanit. Dhjetë të plagosurit janë transportuar me urgjencë në spital për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Por shpërthimi që është dëgjuar në të gjithë qytetin ka alarmuar të afërmit e punonjësve që ishin në turn në atë moment. Ata i janë drejtuar spitalit për të mësuar më shumë për atë që kishte ndodhur si dhe për të plagosurit. Burimet e spitalit kirurgjik të Elbasanit pohuan dje se dhjetë punëtorët kanë pësuar djegie të ndryshme dhe disa prej tyre paraqiten në gjendje tepër të rëndë. Një prej të plagosurve, Veli Jahja është zhvendosur menjëherë në sallën e operacionit pasi gjendja e tij paraqitej më kritike. Mjekët nuk kanë dhënë shumë shpresa jete për të. Rreth tre orë pasi mjekët kanë tentuar nëpërmjet ndërhyrjeve kirurgjikale gjendja e 54- vjeçarit Jahja ka qënë mjaft shqetësuese dhe Qendra Spitalore ka kërkuar ndërhyrjen e Ministrisë së Shëndetësisë për të bërë transportin e tij nëpërmjet një helikopteri për në spitalin ushtarak në Tiranë. Ndërkohë me djegie të rënda ka rezultuar punëtori 40- vjeçar Mithat Dervishi. Punëtorët e tjerë kanë marrë mjekim dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën por me djegie të gradëve të ndryshme në trup. Të dëmtuarit janë vizituar edhe nga Drejtori i spitalit të Elbasanit Shefqet Deliallisi. Ky i fundit ka vënë në dispozicion të gjithë personelin mjekësor dhe ka kërkuar gatishmëri maksimale për ti ardhur në ndihmë punëtorëve të dëmtuar. B. Nergjoni
DËSHMITARI
Besim Firaku: Kur uji bie në furrë mund të ndodhë një shpërthim, por mund të ketë qenë edhe një predhë
Shpërthimi ishte si një bombë atomike
ELBASAN- Dëshmitarët okularë të ngjarjes tregojnë vetëm pak minuta pas shpërthimit se kur katër prej punëtorëve të turnit kanë qenë në pjesën e sipërme të furrës kryesore të Uzinës së shkrirjes së Çelikut është regjistruar një shpërthim i fuqishëm që ka ardhur nga brenda saj. Copa të furrës dhe pluhuri i nxehtë është shpërndarë në një rreze prej 50 metrash dhe dëmtimet për ata persona që kanë qenë më afër furrës ishin fatale. Kështu Xhevit Nërgjoni që ishte më afër dhe kontrollonte gjithçka nuk ka pasur asnjë shpresë për jetën. Dëshmitarët kanë mundur të thonë vetëm për tmerrin që kanë ndjerë pasi nuk kanë mundur të shohin asgjë. Pak minuta pas shpërthimit ka qenë një "blackout" total dhe vetëm një pluhur mbytës ka shoqëruar punëtorët e terrorizuar nga ajo që kishte ndodhur. Ata kanë kërkuar njëri-tjetrin në errësirë. Besim Firaku, një prej punëtorëve të dëmtuar lehtë tregon se ai ka qenë në pjesën e poshtme të furrës dhe për këtë arsye ka përfunduar vetëm me dëmtime të lehta. "Nuk dimë se çfarë të themi. Shpërthimi ishte si një bombë atomike dhe më pas mbeti vetëm pluhur. Ne na kanë thënë se në rastet kur uji bie në kontakt me furrën mund të ndodhë një shpërthim i tillë pasi temperatura është shumë e madhe. Por mund të ketë qenë edhe një predhë e fuqishme",- thotë punëtori i plagosur.
HETIMET
Prokuroria izolon furrën deri në zbulimin e shkakut
ELBASAN- Ekspertë të policisë dhe prokurorisë lokale kanë punuar gjatë të gjithë mbrëmjes dhe natës së djeshme për të gjetur shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë. "Ajo që është e sigurt për momentin është se gjithçka ka ardhur nga furra e shkrirjes ku edhe dyshohet se ka hyrë ujë. Sipas të dhënave të para nga dëshmitë e punëtorëve lagështira mund të ketë sjellë ujë në furrë dhe nga kontakti krijohet një shpërthim i fuqishëm me përmasa shumë të mëdha",- thanë dje hetuesit e çështjes. Por, sipas tyre, askush nga punëtorët nuk di të thotë se çfarë realisht ka ndodhur në furrë në ato momente. Një tjetër version i hedhur për shpërthimin e regjistruar në furrnaltë është edhe ai i një predhe të kaluar nëpërmjet skrapit. Raste të tilla kanë qenë jo të pakta në Uzinën e shkrirjes së çelikut por jo kaq fatale. Mes materialeve që po shkriheshin si skrap kishte edhe predha të vjetra ushtrie, të cilat duhet të ishin zbrazur përpara se të shkonin në uzinë. Nga ana tjetër Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet për këtë ngjarje të rëndë. Mësohet se është bllokuar hyrja në furrën ku është regjistruar shpërthimi dhe janë kryer veprimet e para. Roje të armatosura ruajnë objektin dhe mos lejuar askënd ti afrohet vendit të ngjarjes. Tashmë duhet të priten analizat kimike të vendit ku ndodhi shpërthimi për të përcaktuar edhe atë që ka ndodhur në orën 19.30 të ditës së djeshme në furrën e shkrirjes së metaleve.
VIKTIMA
Xhevit Nergjoni
TË PLAGOSUR
Veli Jahja 54 vjeç
Elton Sefa 18 vjeç
Agim Isai 58 vjeç
Veli Shupheja 57 vjeç
Mithat Dervishi 40 vjeç
Agim Qosja 60 vjeç
Të dëmtuar lehtë
Besim Firaku 50 vjeç
Sajmir Kogunja 46 vjeç
Shkëlqim Kotorri 42 vjeç
Edvald Mersini 26 vjeç