Fier, e përplas makina, vdes 65-vjeçari
Fier-Një aksident automobilistik me pasojë vdekjen e një 65-vjeçari ndodhi duke u gdhirë dita e djeshme në qytetin e Fierit. Ngjarja, sipas policisë ndodhi në aksin rrugor Fier-Vajkan, rreth orës 05.30 minuta, në vendin e quajtur ish- frigoriferi, në hyrje të qytetit të Fierit. Shtetasi Sadik Cakaj, 65-vjeç, banor në lagjen «Liri» të këtij qyteti në momentin që po kalonte buzë rrugës, duke transportuar me karro dore një dyshek, papritur është goditur nga një mjet tip Ford me targa të Mallakastrës. Drejtuesi i mjetit ka frenuar fort, por shpejtësia dhe shfaqja e këmbësorit papritmas nuk i ka dhënë shumë shanse shpëtimi. Për pasojë, këmbësori është tërhequr zvarrë disa metra duke gjetur vdekjen. Ai është dërguar me urgjencë në spitalin e Fierit nga vetë drejtuesi i saj, Arif Isufaj, banues në fshatin Drenovë të Mallakastrës. Mjekët e spitalit rajonal të Fierit bëjnë me dije ai ka mbërritur pa jetë për shkak të goditjes së fortë që kishte marrë nga mjeti. Sipas policisë rrugore, drejtuesi i mjetit është ndaluar për të dhënë sqarime lidhur me ngjarjen. Ky është rasti i dytë i aksidenteve me pasojë vdekjen në Fier, në këtë vit.