E Shtunë, 31 Tetor 2026

Furnizimi me ujë, Olldashi kritikon vendorët

 

Kreu i Ministrisë së Punëve Publike ka kritikuar dje punën e bërë deri më tani nga pushteti vendor për ujësjellësit. Gjatë konferencës së djeshme “Standardet e Performancës për Kompanitë e Ujit Ekuilibri Midis të Mundshmes dhe Përputhshmërisë”. “Nëse realisht duam që sektori i ujit të funksionojë, duhet që të gjithë të kemi ndaj tij një reagim të përgjegjshëm dhe të koordinuar. Qeveri qendrore, pushtet lokal, ndërmarrjet e ujësjellësit, donatorë të ndryshëm, gjë që për fat të keq nuk ndodh sot në dy bashkitë më të mëdha të vendit, Tiranë dhe Durrës. Ndërsa qeveria qendrore është tërësisht e vetëdijshme për problematikën dhe nevojat që ka sektori i ujit, në rastin e Tiranës duhet që edhe bashkia të bëjë detyrën e vet. Që nga shtatori i vitit 2007 Bashkia e Tiranë po dëshmon një sjellje totalisht të papërgjegjshme, duke refuzuar përgjegjësitë e veta ndaj ndërmarrjes së ujësjellësit dhe duke përdorur për këtë refuzim vetëm pretekste të turpshme”, është shprehur dje ministri i MPPTT-së, Sokol Olldashi. Sipas tij, e vetmja mënyrë për të siguruar një mirëfunksionim të ujësjellësve është të ndiqet procesi i kolektivizimit të kompanive në njësi më të mëdha shërbimi. “Ne duhet të kemi kompani ujësjellësish të përgjegjshme, të afta dhe profesionale, me një staf të trajnuar mirë profesionalisht për të performuar në përputhje me standardet e KE-së. Ne nuk shpresojmë që ta arrijmë këtë me një strukturë institucionale të kompanive të ujësjellësve me mbi 55 të tilla, shumica e tyre të vogla, dhe që shumë prej tyre sot nuk kanë mundësinë të punësojnë qoftë një inxhinier hidroteknik. Për këtë arsye, siç do të trajtohet më tej në programin e sotëm, ne duhet të reflektojmë në lidhje me strukturën e sektorit të ujit në Shqipëri, duke patur fort parasysh agregimin e kompanive të ujit në kompani më të mëdha dhe që mbulojnë zona më të mëdha shërbimi”, ka deklaruar ai. Gjatë fjalës së tij ministri paralajmëroi se ujësjellësit duhet të fillojnë t’i mbulojnë vetë kostot e tyre, pasi subvencionimi që shteti u bën këtyre ndërmarrjeve do të vijë drejt zeros.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›