Basha me prefektët: Merrni masat për dimrin
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha ka mbledhur në një takim prefektët në të gjithë vendin, ku i ka kërkuar të marrin të gjitha masat për të përballuar emergjencat që mund të krijohen gjatë stinës së dimrit. “Në javët në vijim secili prej prefektëve, veçanërisht ata të qarqeve më në rrezik, duhet të inventarizojnë dhe njohin situatën për çdo aspekt. Të sigurohet gatishmëria e strukturave lokale për të përballuar hapjen e arterieve kryesore rrugore të qarkut. Çdo zonë dhe veçanërisht zonat e thella të kenë stoqe të mjaftueshme medikamentesh bazë për popullsinë. Të sensibilizohen drejtuesit lokalë dhe nëpërmjet tyre popullsia për përgatitjet e duhura”, u shpreh Basha. Gjatë këtij viti Qeveria ka akorduar fonde me vlerë 271 milionë lekë si për riaftësimin e objekteve publike, për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga dukuritë natyrore dhe për dhënien e ndihmës financiare familjeve të prekura nga këto dukuri.