Rishfaqet gripi i derrave,9 raste të reja për një javë
zirina llambro
Rifillon të qarkullojë fuqishëm në popullatë virusi i gripit të derrave. Për një javë janë zbuluar plot 9 raste të reja. Në total, numri i të prekurve arrin në 44. Të dhënat vijnë nga Ministria e Shëndetësisë. Dje komisioni i ekspertëve pranë këtij dikasteri u mblodh për të analizuar situatën, si dhe për të marrë masat e nevojshme. ”Pas një periudhe qetësie gjatë muajve shtator-tetor, virusi AH1N1 po rifillon të qarkullojë në popullatë. Gjatë kësaj jave janë identifikuar 9 raste të reja”, bëri me dije ministria. Sipas specialistëve të saj, të gjitha rastet kane pasur shenja të lehta dhe janë trajtuar kryesisht në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë. Ndërkohë janë shtuar ndjeshëm rastet me gripin e zakonshëm çka dëshmon se në popullatë po qarkullon edhe virusi i gripit sezonal. ”Para dy ditësh ka mbërritur në ISHP një sasi e re preparati antiviral Tamiflu që mjafton për të trajtuar rreth 10,000 raste, ndërsa të gjithë spitalet rajonale janë të furnizuar me një sasi bazë dhe mund të marrin sasi të reja nga Instituti i Shëndetit Publik”, sqarojnë specialistët e ministrisë. Ndërkaq, në farmacitë e vendit ka një sasi të mjaftueshme me vaksinë kundër gripit sezonal dhe mjekët këshillojnë qytetarët ta blejnë dhe ta përdorin këtë vaksinë, e cila aplikohet falas pranë Qendrave Shëndetësore për t’u mbrojtur nga gripi sezonal. Qytetarët mund të këshillohen gjithashtu, falas pranë mjekut të tyre të familjes lidhur me grupet më të rrezikuara nga gripi sezonal. “Ministria e Shëndetësisë është duke përfunduar procedurat e prokurimit të vaksinës kundër gripit të ri pandemik të quajtur ndryshe AH1N1. Brenda disa javësh në Shqipëri do të fillojë vaksinimi kundër gripit të ri pandemik për disa grupe të popullatës. Ky program do të mbulohet krejtësisht nga Ministria e Shëndetësisë”, sqaroi zyra e shtypit të këtij dikasteri. Nga sa bëhet me dije veç punës për ndërgjegjësimin e të gjithë popullatës lidhur me masat higjienike përmes spoteve televizive dhe fushatave të tjera mediatike, po punohet në mënyrë më specifike me mjekët e shkollave dhe po bashkëpunohet me personelin e sistemit arsimor, me qëllim kufizimin maksimal të qarkullimit të virusit në nxënësit e shkollave. ”Vënia në funksionim e teknologjisë së re testuese dhe fillimi nga puna në laboratorin e ri në ditët që vijojnë forcojnë aftësitë e sistemit shëndetësor lidhur me shpejtësinë e vendosjes se diagnozës dhe mbështetjen e klinicistëve në menaxhimin e rasteve”,thuhet në deklaratën për media të ministrisë.