Telemjeksia, tani edhe në Tiranë
Një problem mjekësor i një gruaje shtatzënë tani mund të konsultohet në kohë reale nga mjekët e Italisë, Serbisë dhe Kroacisë. Nëpërmjet një aparature të re, të quajtur telemjekësia, gjinekologët e maternitetit “Koço Gliozheni” në Tiranë, do të kenë mundësi të shkëmbejnë informacione on line. I pranishëm në prezantimin e projektit “Zemrat e Ballkanit”, ka qenë edhe ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili. Sipas tij, ky projekt do të zgjasë dy vjet dhe do të japë asistence mbi sëmundjet kardiake sidomos te foshnjat. Demostrimi i kryer në dhomën e ekografisë në Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni” është pikënisja e një procesi të ri që po aplikohet, i cili do t’ju vijë në ndihmë mjekëve shqiptarë në të gjitha ato raste specifike kur konsulta do të jetë e nevojshme. Ministri i Shëndetësisë e ka cilësuar një ngjarje shumë të rëndësishme hapin e hedhur sot duke theksuar se çdo element i ri që futet në teknologjinë mjekësore, por edhe në komunikimin shkencor është me të vërtetë pozitiv dhe ndikon në një diagnostikim sa më të mirë të pacientëve. Ai theksoi se kjo konsultë virtuale gjithsesi është mjaft e prekshme duke qenë se pacienti e merr përgjigjen për diagnozën e tij në kohë reale ndaj dhe kjo praktikë do të shtrihet edhe në shërbime të tjera të mëdha kombëtare.