Furtunë në dogana, largohen 70 punonjës
Administrata doganore pritet të përfshihet në reformë të thellë, në kuadër të strukturës së re, e cila parashikon largime nga puna dhe drejtori të reja. Vendimi nga qeveria është marrë më 13 prill dhe prek Kodin Doganor, duke i bërë disa ndryshime, me propozim të ministrit të Financave. Në nenin 3 thuhet se numri i punonjësve do të shkurtohet me 70 vetë, duke lënë në organikë 991 persona. Një tjetër ndryshim lidhet me krijimin e degës doganore në Porto Romano, vendi ku pritet të ngrihen një sërë parqesh industriale, si dhe kalimi i anijeve me karburant dhe gaz.
Pikat më të rëndësishme në Kodin e ri Doganor kanë të bëjnë me strukturat e reja, në drejtim të luftës ndaj korrupsionit, vjeljes së borxheve, trafiqeve dhe kontrabandës.
LëvizjetNjë kapitull të veçantë në kodin e ri doganor i është kushtuar pjesës që flet për “pezullimet nga puna”. Konkretisht, neni 13 i kodit sqaron rastet e pezullimit dhe kur mund të kthehet në punë punonjësi. “Punonjësi i doganës pushohet kur ndaj tij fillon ndjekja penale për shkak të detyrës ose për krime të rënda, si dhe kur eprori apo strukturat e tjera kanë konstatuar shkelje. Pezullimi në këtë rast zgjat për aq kohë deri në shqyrtimin nga komiteti disiplinor dhe të jetë marrë vendimi përfundimtar nga drejtori i Përgjithshëm i Doganave.
StrategjiaArdhja e drejtorit të ri në dogana duket se do të shoqërohet me reformë të thellë, që edhe pse me krijim drejtorish të reja, vendoset largimi i 70 punonjësve. Një nga drejtoritë që preken nga struktura e re është sektori i Antikontrabandës dhe Rikuperimit me Forcë të Borxhit, e cila do të ndahet në disa departamente. Kjo drejtori kryen kontrolle fizike dhe dokumentare, në bazë të të dhënave dhe analizës së riskut, brenda vendit. Nëpërmjet kryerjes së kontrolleve, identifikon dhe jep të dhëna rreth veprimtarisë ose personave, të dyshimtë për database-n e informacionit, jep ndihmë në hetimin e shkeljeve doganore. Tjetër drejtori lidhet me hetimin, puna e të cilës ka të bëjë me rastet e dyshuara nga grupet e antikontrabandës. Drejtoria e Hetimit mbledh të dhëna, përgatit kallëzime penale për organin e prokurorisë etj.
#