E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushaj: Kotherja është i përfshirë

Jetmir Halilaj (PANORAMA SPORT) - Presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, ishte i pari që akuzoi arbitrin e ndeshjes Artan Taullaraj dhe shefin e gjyqtarëve, Plarent Kotherja, se kishin ndikuar drejtpërdrejtë në rezultatin e ndeshjes Vllaznia-Laçi 1-2. Fushaj e pohon edhe tani të njëjtën gjë me shumë qetësi. Madje në një intervistë për “Panorama Sport”, kreu i klubit shkodran jep edhe detaje për hetimet që kanë nisur dhe për provat që ai beson se u ka dhënë dy inspektorëve të Disiplinës.
Z.Fushaj, a është e vërtetë që ndeshja Vllaznia-Laçi është nën hetim?
Po, sigurisht që po. Madje këtë e kemi kërkuar ne si klub, një ditë pas ndeshjes.
A keni ndonjë provë që keni bërë një kërkesë të tillë?
Natyrisht. Madje jemi të bindur se të gjitha provat që u kemi vënë në dispozicion dy inspektorëve, janë të mjaftueshme për ta zbardhur ngjarjen.
Ju dyshoni tek skuadrat, te gjyqtari, apo te ndokush tjetër?
Ej, prisni pak se duhet të jemi të qartë në këtë pikë. Unë nuk dyshoj te skuadra ime. Kurrsesi nuk mund ta bëj një gjë të tillë, sepse nuk kam asnjë shkak. Dyshoj dhe kam bindje të fortë se në atë ndeshje kanë ndikuar gjyqtari Taullaraj, shefi i arbitrave në FSHF, Plarent Kotherja dhe vëzhguesi, të cilit nuk ia mbaj mend emrin (Lirim Çuko) askush tjetër.
A mund të jeni pak më i qartë?
Shikoni, unë kisha informacione konfidenciale, por të sigurta se ajo ndeshje do të dilte “2”, pra do ta fitonte Laçi. Për këtë motiv i kam telefonuar një ditë para ndeshjes shefit të arbitrave dhe i kam thënë që të kishte kujdes me gjyqtarin që do dërgonte në Shkodër, sepse kisha disa sinjale shqetësuese. Kotherja më konfirmoi se do të merrte masa dhe se kishte gjithçka nën kontroll. Një gënjeshtër me bisht, sepse jo vetëm që kjo s’ndodhi, por u konfirmuan të gjitha dyshimet e mia. Ia thashë edhe Kotheres këtë, por faktet treguan se edhe ai ishte i përfshirë në këtë aferë të pistë.
Mos ndoshta po paragjykoni më shumë se ç’duhet në këtë rast?
Po si mund të paragjykoj, kur unë kisha informacione para se ndeshja të zhvillohej se takimi do të dilte “2”, pra do të fitonin kundërshtarët. Sapo ua thashë se për këtë arsye e njoftova edhe shefin e arbitrave.
Dakord, por ju e vërtetoni dot këtë?
Nuk jam unë ai që hetoj. Hetimet le t’i bëjë FSHF-ja. Unë u tregova i gatshëm që të bashkëpunoja. Madje përveç disa të dhënave paraprake që u dhashë inspektorëve të federatës, i informova ata edhe për situatën në kompanitë e basteve që kishte shoqëruar këtë ndeshje.
Që do të thotë?
Që do të thotë se kjo ndeshje ishte bombarduar në kompanitë e basteve me shenjën “2” një ditë para se të luhej. Pra, do të fitonte Laçi. Ato të dhëna që kisha për pjesën e basteve, ia vura në dispozicion dy inspektorëve të Disiplinës.
Po ç’lidhje kanë gjyqtarët me kuotimet në baste?
Po vetëm ata kanë lidhje në këtë mes. Lojtarët më pohuan se gjatë ndeshjes kishin pasur një presion të jashtëzakonshëm nga arbitri, duke mos i lënë të luajnë qetësisht. Kjo ndikoi psikologjikisht te futbollistët, të cilët më pas e reflektuan edhe në fushë. Përveç kësaj, unë mendoj se ajo është një nga ndeshjet të gjykuara më keq në kampionatin shqiptar. Arbitri bëri disa gabime që janë më shumë se të çuditshme. Ah, edhe diçka tjetër, nuk është çudi që në atë takim, vëzhguesi i FSHF-së, ishte mik shtëpie i shefit të arbitrave, Kotheres...
A kanë ardhur inspektorët e federatës në Shkodër?
Po, erdhën disa ditë më parë. Më bënë disa pyetje mua, më pas morën në pyetje trajnerin Martini dhe futbollistët. Ua thamë ato që dinim dhe u dhamë edhe informacionet që dispononim. Tani jemi në pritje.
A keni besim tek inspektorët, sepse ata kanë marrë shumë çështje në shqyrtim, por nuk kanë zbardhur asnjërën prej tyre?
Po, kam. Tani unë nuk e vë dorën në zjarr se ata do ta bëjnë si duhet detyrën, por ama jam i ndërgjegjshëm se ne si klub kemi qenë bashkëpunues dhe nuk kemi folur në tym. Megjithatë, dua të shtoj edhe diçka: në rastet e mëparshme, me sa di unë, sapo ata kanë nisur hetimin, pala që ka akuzuar është tërhequr, duke mos dashur të japë shumë detaje për motive nga më të ndryshmet. Kjo gjë me ne nuk ndodhi dhe nuk ka për të ndodhur kurrë. I qëndrojmë fjalës sonë deri në fund.
Nëse çështja nuk zbardhet, si do të veproni?
Shikoni, unë jo pa qëllim iu drejtova fillimisht federatës për ta hetuar këtë çështje. Këtë e bëra, sepse dua që gjërat të zgjidhen brenda mureve sportive. Në rast se ajo nuk do të zbardhet, atëherë do t’i drejtohem prokurorisë. Vetëm se kjo padyshim që do të ma humbte krejtësisht besimin te drejtësia e FSHF-së.
Ankesa
Fushaj nuk ka dashur të komentojë situatën e rënduar në futbollin shqiptar, për shkak të skandaleve të javëve të fundit, por ka pohuar se gjyqtarët kanë ndikuar negativisht te Vllaznia këtë vit. “Na kanë penalizuar aq shumë, saqë jo vetëm na kanë vënë në një situatë të vështirë përballë tifozëve, por kanë bërë që edhe investimet e puna jonë të shkojnë dëm. Kjo është e papranueshme”, - ka theksuar Fushaj.
Precedenti
Vllaznia është nën hetim nga UEFA, sepse dyshohet se mund të ketë trukuar ndeshjet që zhvilloi kundër Rapidit edicionin e kaluar në Ligën e Evropës. Përveç klubit shkodran, nën hetim është edhe Tirana për ndeshjen e kthimit kundër Stabaekut. Drejtuesit e të dyja klubeve janë shprehur të gatshëm për të bashkëpunuar me institucionet ndërkombëtare të futbollit.
Kotherja
Përgjegjësi i sektorit të arbitrave në FSHF, Plarent Kotherja, nuk ka dashur të replikojë pas akuzave të bëra nga klubi shkodran. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai ka thënë shkurtimisht se zbardhja e kësaj ngjarjeje do të kryhet shumë shpejt. “Ka nisur një hetim për këtë çështje dhe nuk dua që të shtoj fjalë apo polemika për rastin në fjalë. Do presim vendimin e dy inspektorëve dhe më pas do të dal me një qëndrim zyrtar”, - është shprehur Kotherja.
Ligji
Një vit më parë ka hyrë në fuqi ligji për trukimin e ndeshjeve me qëllim përfitimi. Në bazë të tij, çdo person që shpallet fajtor dënohet me burgim nga 2 deri në 7 vjet. Megjithatë, deri tani nuk ka pasur asnjë rast kur një sportist apo pjesëtar i ndonjë klubi të jetë shpallur fajtor.
Ndeshjet e kampionatit shqiptar
Mund të luhen shumë parà, por me skedina ...5 mijë lekëshe
Dy vitet e fundit edhe ndeshjet e kampionatit shqiptar kuotohen në kompanitë e basteve të vendit tonë. Gjithsesi, drejtuesit e këtyre kompanive janë treguar të kujdesshëm, duke ditur shkallën e lartë të rrezikshmërisë për fiksime rezultatesh. Përgjithësisht, ata nuk pranojnë që të luhen shuma të mëdha për ndeshjet teke të kampionatit shqiptar. “Panorama Sport”, pas një investigimi të thjeshtë në disa pika bastesh, ka konstatuar se shuma më e madhe e parave që mund të vendoset për një ndeshje teke nuk është më shumë se pesë mijë lekë të rinj, ose 30 euro. Megjithatë, edhe këtu ka një detaj ndaj të cilit kompanitë janë shumë të kujdesshme kur bëhet fjalë për ndeshje të kampionatit shqiptar. Kjo për faktin se një bastvënës mund të vendosë disa ose edhe dhjetëra skedina pesë mijë lekëshe për të njëjtën ndeshje, duke bërë që një shumë e madhe parash, edhe pse e ndarë, mund të vihet për një takim të caktuar. Vetë punonjës të këtyre kompanive pohojnë se monitorojnë me kujdes thuajse të gjitha ndeshjet e kampionatit shqiptar dhe kur konstatojnë se një nga takimet e Kategorisë Superiore “bombardohet” në skedina, atëherë ose ulin koeficientet në mënyrë drastike, ose i bllokojnë ato. Sipas tyre, është shumë e vështirë që në Shqipëri të mund të vendosen shuma të mëdha parash për një ndeshje të kampionatit shqiptar, por nuk e mohojnë se edhe kjo mund të ndodhë.
Burimi: Albania-sport.comE Enjte, 11 Shkurt 2010

 
Shto dhe ti komentin tend

Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›