Fushaj: Kualifikimi i Vllaznisë nuk është ëndërr
Përgjithësisht është natyrë e matur. Flet ngadalë dhe duket se përpara se të nxjerrë fjalët nga goja, mendohet mirë për ato që do shqiptojë. Megjithatë, dje është shfaqur ndryshe. Optimist dhe njëkohësisht entuziast për gjendjen e skuadrës që ai sponsorizon, Valter Fushaj ka filluar të mendojë edhe për eliminimin e Napolit dhe madje kjo nuk i duket një çudi e madhe. Dëshiron që Vllaznia e tij të arrijë atë që s'e ka arritur asnjë skuadër shqiptare deri më sot: kalimin në turin e dytë të Kupave të Europës. Kjo do ishte mrekullia dhe presidenti i kuqebluve e ëndërron një gjë të tillë. Presidenti Fushaj shpreh gjithçka ndjen dhe kjo duket qartë në intervistën e tij, kur shprehet:
Sot ndeshja e shumëpritur ndaj Napolit. Keni emocione?
Sigurisht që emocionet janë të mëdha dhe jo vetëm për mua, por për të gjithë, futbollistë, trajnerë e tifozë, sepse nuk rastis shpesh që të shohim në stadiumet tona një skuadër të kampionatit italian. Aq më tepër Napolin, një emër i njohur i Serisë A, me të cilën kanë luajtur edhe lojtarë të tillë si Maradona, apo të tjerë.Çdo gjë është gati për fillimin e ndeshjes sa i takon përgatitjeve të bëra?
Mendoj se po. Gjatë këtyre ditëve është punuar në mënyrë intensive për ta bërë ambientin rreth e qark stadiumit sa më të përshtatshëm për këtë ndeshje. Janë marrë të gjitha masat edhe me drejtorinë e policisë për pritjen dhe përcjelljen e ekipit kundërshtar, po ashtu edhe të tifozëve të tyre, që do jenë të shoqëruar kudo nga forcat e rendit, në mënyrë që të mos kenë asnjë problem. Ata vijnë si miq në Shkodër dhe ne do t'i presim si të tillë.
Po në fushën e lojës?
Në fushën e lojës Napolin nuk do ta kemi mik. Do jetë një kundërshtar si gjithë të tjerët, një kundërshtar për t'u mundur.
Do të arrijë Vllaznia ta bëjë këtë gjë?
Skuadra jonë është e mobilizuar maksimalisht për këtë punë. Janë rikthyer sërish pranë skuadrës tre futbollistët tanë që do të luajnë sezonin e ardhshëm në Turqi dhe po ashtu jemi përforcuar edhe me lojtarë të tjerë. Mendoj se duke dhënë maksimumin në fushë, mund të arrijmë një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë.
Jeni i bindur se mund të ndodhë kështu?
Unë besoj në këtë gjë, sepse, siç e thashë, në fushë vendos skuadra që do ketë më grintë e karakter. Vllaznia mendoj se do t'i ketë të dyja këto, prandaj nuk ka pse të mos besojmë te një rezultat pozitiv në takimin e parë, aq më tepër që do të kemi edhe mbështetjen e zjarrtë të publikut shkodran, i cili duket se po e pret me shumë interes këtë takim. Fakti që janë shitur thuajse të gjitha biletat brenda dy ditësh, tregon se stadiumi do të jetë plot dhe i gjithi në krah të Vllaznisë.
Italianët e kanë konsideruar të lehtë këtë takim. Madje thuhet se Napoli do të mbyllë gjithçka që në ndeshjen e parë. Eshtë pozitiv fakti se italianët e kanë marrë të lehtë këtë ndeshje?
Në disa komente që kemi dëgjuar vërtet na vlerësojnë si skuadër të lehtë, por në disa të tjera, vetë italianët bëjnë thirrje për kujdes. Kjo do të thotë se ata në njëfarë mënyre na e kanë pak frikën. Megjithatë, do të jetë fusha e blertë, ajo që do të vendosë për gjithçka. Unë jam i bindur se kualifikimi ka për t'u vendosur në Napoli dhe jo në Shkodër. Një gjë mund t'u them: nëse arrijmë vërtetë një rezultat pozitiv në ndeshjen e sotme, keni për ta parë se në Itali kemi për t'u nxjerrë shumë punë. Madje nuk do të jetë çudi edhe nëse kualifikohemi.
Që do të thotë realizimi i një ëndrre tjetër për ju?
Patjetër. Disa nga dëshirat e mia si president deri më tani më janë realizuar. Kam fituar një Kupë të Shqipërisë, kam qenë i suksesshëm në Kupat e Europës, po luajmë ndaj një emri të madh si Napoli dhe do të ishte edhe shumë më e bukur nëse do të kalonim në turin e tretë të Kupës UEFA. Rezultat që nuk e ka arritur asnjë skuadër shqiptare deri tani. Përderisa është një mundësi, nuk ka pse të mos mendojmë për ta çuar deri në fund.