Reja: Vllaznia s'duhet ta mendojë fitoren
Në prag të ndeshjes së parë të turit të dytë paraeleminator të Kupës UEFA rritet ankthi në shtëpinë e Napolit për sfidën delikate, jashtë fushe, kundër Vllaznisë së Shkodrës. Trajneri i Napolit, Edi Reja, që i njeh mirë vështirësitë e këtyre ndeshjeve, nuk ka ndërmend ta nënvlerësojë kundërshtarin: "Dua një përqendrim maksimal dhe mendësi fituese, - thotë ai. - Do të jetë një ndeshje e ndezur. Dhe jo vetëm për atmosferën që do të krijohet. E kam parë Vllazninë dhe mund të them se ka lojtarë të mirë, të shpejtë e të lëvizshëm. Është një skuadër që di të luftojë dhe e ka treguar këtë. Ne duhet të interpretojmë një ndeshje të vështirë, të luajmë me shumë kujdes, për të ditur më pas të dalim në skenë në momentin e duhur." Nëse kalohet turi i dytë, kjo do të thotë për Napolin një kthim në Europën që ka rëndësi: "Skuadra është e ndërgjegjëshme që luajmë shumë në këtë ndeshje të parë, - nënvizon Reja. - Nëse hyjmë në fazën e grupeve në UEFA, do të ishte për Napolin një objektiv i jashtëzakonshëm." Për sa i takon aspektit taktik, Reja i ka idetë e qarta: "Në sulm do të kemi një dyshe të mirë, e cila është Denis-Pia, - shpjegon, - dhe pastaj do të përpiqemi të shfrytëzojmë manovrat e Hamsikut dhe të Maxhios, që mes të tjerash shënuan edhe para pak ditësh në miqësoren në Frozinone. Kemi një mundësi të madhe përpara, nuk do të bëjmë llogari, do të luajmë." Ndërkohë, trajneri Reja ka shtuar se nuk do të mbyllet gjithçka në Shkodër. I qeshur dhe me qetësi, trajneri i Napolit, Edi Reja, dje, në konferencën për shtyp, ka deklaruar se nuk do të jetë aq e lehtë me Vllazninë. "Synimi ynë është të ecim sa më shumë në Kupën UEFA, por gjithmonë duke kaluar Vllazninë së pari. Ne do t'i imponojmë lojën tonë kundërshtarit, në mënyrë që të marrim rezultatin e duhur. Mos harrojmë vetëm një gjë, kualifikimi nuk mbyllet në Shkodër dhe i shoh të 180 minutat jo shumë të lehta. Janë dy ndeshje dhe për pasojë gjithçka mund të ndodhë, prandaj i kemi marrë seriozisht të dyja," - është shprehur trajneri Reja. Ndërsa në lidhje me kundërshtarin, Vllazninë, ai ka pohuar: "E kemi studiuar Vllazninë dhe mund të themi që ka elementë shumë të mirë, por kjo do të duket më mirë në fushën e lojës. Nuk mund të ketë nënvlerësime kurrsesi, prandaj do të bëjmë lojën tonë. Nga terreni i fushës jam i kënaqur. Do të përqendrohemi maksimalisht, duke dashur që Vllaznia të mos e mendojë fitoren. Kemi disa probleme me formacionin, por Napoli është favorit dhe nuk mund të justifikohet kurrsesi me këto, prandaj do të futemi në fushë për të fituar."