E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervistë e Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme Ilir Meta për Radion BBC në shqip

“Gatishmëria dhe vullneti politik i BE-së premtojnë përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë”

Hungaria kryesoi një takim të ministrave të vendeve të Evropës Qendrore të njohur si grupimi i Vishegradit dhe Ballkanit Perëndimor. Në takim morën pjesë edhe ministrat e vendeve që do të marrin presidencën e radhës të BE pas Suedisë që e ka tani, dhe Spanja që e merr presidencën në janar. Temat kryesore të bisedimeve janë Ballkani Perëndimor dhe integrimi, çështja e vizave por edhe gjendja në Kosovë.

Në këtë takim merrte pjesë edhe Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta.

Cilat janë vlerësimet tuaja për këtë takim?

Ky takim në Budapest mes ministrave të jashtëm të vendeve të Vishegradit dhe të Ballkanit Perëndimor, me praninë edhe të presidencës së radhës së BE, Ministrit të Jashtëm të Spanjës dhe atij të Belgjikës, synon të vijojë me prioritet axhentën e Ballkanit Perëndimor gjatë presidencave të ardhshme të BE-së. Kuptohet që interesi i Shqipërisë është shumë i lartë për shkak të një axhente intensive që pritet të vijë në muajt e ardhshëm.

Pas “po”-së irlandeze për traktatin e Lisbonës, dhe faktit që Spanja në janar merr Presidencën e radhës në BE, çfarë erërash fryjnë kur është fjala për zgjerimin e BE dhe konkretisht për përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE?

“Po”-ja irlandeze është një rezultat tepër pozitiv, po të kemi parasysh dështimin në të kaluarën, dhe natyrisht që është një premisë për ti hapur rrugë asaj reforme të rëndësishme të vetë BE-së, që parashikohet me hyrjen në fuqi të traktatit të Lisbonës. Ne besojmë se procesi i zgjerimit do të vijojë, aq më tepër kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor ku BE që në samitin e Selanikut është angazhuar në mënyrë të qartë që Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e BE-së në të ardhmen. Natyrisht që është një proces i dyanshëm, ku në radhë të parë kërkohet vijimësia e reformave nga ana e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të këtij rajoni. Ne besojmë se edhe gatishmëria dhe vullneti politik i BE-së do të tregohet në të ardhmen për të përshpejtuar këtë proces.

Kryeministri shqiptar Sali Berisha vazhdon vizitën e tij dyditore zyrtare në Kosovë, ndërsa ju dje keni takuar homologun tuaj serb Vuk Jeremic. Me çfarë përshtypjesh jeni larguar nga ky takim, kur është fjala për dallimet evidente për sa i përket çështjes së Kosovës?

Takimi me Ministrin e jashtëm të Serbisë Jeremic, ka qenë në tërësi i një fryme konstruktive, ku dihen dallimet dhe qëndrimet e ndryshme për çështjen e Kosovës, por njëkohësisht ku u demonstrua dëshira dhe vullneti i të dy palëve për të ecur përpara në zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale midis Shqipërisë dhe Serbisë, jo vetëm në interesin reciprok të dy vendeve, por edhe në një kuadër më të gjerë, pasi dihet se një bashkëpunim midis Shqipërisë dhe Serbisë jep mesazhe shumë pozitive për një klimë konstruktive për  rajonin tonë. Ne do të vazhdojmë në këtë rrugë pasi edhe Serbia edhe Shqipëria kanë një të ardhme të përbashkët, atë të Bashkimit Evropian, dhe ne dëshirojmë të ecim në një mënyrë konstruktive në këtë drejtim.

Kryeministri shqiptar dhe homologu i tij kosovar Hashim Thaçi kanë lënë të kuptohej se Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të veçanta por që kombi shqiptar është një dhe i pandashëm. Ndërkohë bëhet e ditur se Ministri i Jashtëm i Rusisë Lavrov ka shprehur rezerva për qëndrimet e palës shqiptare lidhur me Kosovën dhe konceptin e kombit shqiptar si një dhe i pandashëm. Keni ndonjë përgjigje lidhur me këto rezerva të homologut tuaj rus?

Kam ndjekur një deklaratë të Ministrit të Jashtëm rus Lavrov. Mendoj se ka qenë rezultat i keqinterpretimeve të deklaratave të kryeministrit Berisha, për më tepër ku ka referenca të cilat janë krejtësisht të pavërteta. Asnjë herë Shqipëria nuk ka deklaruar se synon të unifikojë territoret ku jetojnë shqiptarët. Përkundrazi, shqiptarët kudo që jetojnë, janë bërë pjesë e proceseve integruese të vendeve ku ata jetojnë, dhe në këtë drejtim, unë mendoj se Shqipëria ka një politikë tepër të qartë dhe konstruktive e cila ka të bëjë me bashkimin e shqiptarëve pikërisht pra në Bashkimin Evropian, së bashku dhe me popujt dhe kombet e tjera të Ballkanit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›