E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata PD, Berisha: Do i ul moshën e pensionit minatorëve

Kreu i Partisë Demokratike zhvilloi miting elektoral në qytezën e Manzës. Berisha premtoi uljen e moshës së daljes në pension të minatorëve si dhe do rritjen e të ardhurave. Berisha "Mos votoni Edi Ramën. Do humbisni". 

MANZE- Kryeministri Berisha premton uljen e moshës së daljes në pension të minatorëve si dhe do të rrisë të ardhurat e tyre. Premtimin kreu i Partisë Demokratike e dha në mitingun elektoral të zhvilluar në qytezën e Manzës të qarkut të Durrësit ~

Duke folur për statusin e minatorit, Berisha tha se reformat në pensione nuk lejojnë përcaktime statusesh.
”Kam ardhur sot këtu t’i jap fjalën të gjithë minatorëve të kësaj qyteze se do shkurtojmë me pesë vite moshën e pensionit dhe do ketë efekt prapaveprues. Katër vitet që vijnë do rindërtoj të gjitha rezervuaret dhe kanalet vaditëse të këtij territori”- tha Berisha në fjalën e tij drejtuar përkrahësve të PD-së.

Më tej ai premtoi rritje të pensioneve të fermerëve dhe barazimin e pensioneve me ato të qytetit, subvencionimin e Inputeve, naftës dhe cdo rrënjë ulliri.

Berisha sulmoi kundërshtarin e tij politik Edi Rama dhe ftoi socialistët e Manzës të votojnë PD-në pasi sipas tij lideri i tyre i ka tradhtuar duke mos vendosur emrin në krye të listës së kandidatëve për deputetë.

“Socialistë të Manzës e mbarë Shqipërisë i ftoj të bashkohen me ne, sepse cdo gjë që do bëj do ta ndaj me të gjithë shqiptarët. Socialistë të Manzës me Edi Ramën jeni kilometra larg. Ai do që ju të humbisni, kurse veten ta shohë në breg se nuk ishte në krye të listës. Mos e votoni atë”- tha më tej Berisha duke shtuar se asnjëherë një lider i opozitës të ketë bërë një veprim të tillë.

Kryetari i Partisë në qeveri i bëri thirrje qytetarëve të aplikojnë për kartat e identitetit dhe të verifikojnë emrat në listat e votimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›