PDI, takim elektoral në qytetin e Durrësit
Kryetari i Partisë Drejtësi dhe Integrim, Tahir Muhedini, zhvilloi dje një takim elektoral në Qarkun e Durrësit. Gjatë fjalës së tij, kryetari i PDI-së u ka bërë thirrje durrsakëve ta votojnë këtë forcë politike më 28 qershor, pasi komuniteti çam duhet të përfaqësohet denjësisht në sallën e Kuvendit. Duke prezantuar kandidatët për deputet të këtij qarku, kryetari i PDI-së theksoi se alternativa që kjo forcë politike sjell në zgjedhjet e 28 qershorit është mjaft pozitive dhe domethënëse. Gjithashtu ai vuri theksin te zgjedhjet e lira dhe të ndershme, si një kriter i rëndësishëm për Shqipërinë, për të treguar se demokracia në Shqipëri ka arritur të piqet.