E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Fieri do e refuzojë Olldashin, si Tirana"

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, përballet sërish me ish-rivalin e tij për Bashkinë e Tiranës, Sokol Olldashin. Në një takim në Ballsh, pjesë e Qarkut të Fierit, kreu socialist, referuar ish-kundërshtarit të tij dhe kryesuesit të listës së PD-së në Qarkun e Fierit, deklaroi se ashtu si Tirana, edhe Fieri do e refuzojë atë. "Sokol Olldashin Tirana e refuzoi një herë, tani do e refuzojë edhe Fieri, sepse është një kandidat i padenjë. Prandaj e çoi në krye të listës Berisha", tha kreu i selisë rozë. Ndër të tjera, Rama kërkoi votën e banorëve të Ballshit për ta mandatuar si Kryeministër, pasi, siç tha ai, mandati i duhet që të punojë për qytetarët. Rama bëri thirrje që qytetarët me votën e tyre t‘u japin fund pazareve të politikës së vjetër për të nisur ndryshimin e madh të politikës së re. Më tej kreu socialist renditi një sërë premtimesh dhe angazhimesh të selisë rozë, duke u fokusuar në veçanti te procesi i liberalizimit të vizave. Ai premtoi se në 2010-ën shqiptarët do të mund të lëvizin lirshëm në Bashkimin Europian. Më parë, gjatë ditës së djeshme, Rama u ndal në një prej lagjeve të Elbasanit, për të folur për problemet që kanë hekurudhat shqiptare. "Ne jemi këtu për të dëshmuar këtë prapambetje të kësaj pjese të rëndësishme për këtë qytet, i cili pas 28 qershorit do të jetë në vëmendjen tonë, që së bashku do ta kthejmë këtë stacion hekurudhor, këtë lagje dhe krejt Elbasanin në një qytet me perspektivë të re, me një rrugë të re zhvillimi, në një qytet me një mundësi të re për mirëqenie", tha ai. Kreu i PS-së pohoi se vëmendja qeveritare ndaj shërbimit hekurudhor ka qenë pothuajse e papërfillshme dhe aq më tepër që nga mungesa e investimeve ka degraduar tërësisht traseja hekurudhore dhe krejt infrastruktura rrugore. Para Elbasanit, Rama u ndal në Burrel, ku preku çështjen e analfabetizmit në takimin elektoral të zhvilluar në qendër të Burrelit, si një përgjigje për qindra e mijëra familje që nuk çojnë dot fëmijët në shkollë. "Ndërkohë që ne flasim për papunësinë e skajshme të veriut të vendit, ndërkohë që ne flasim për mungesën e librave dhe të shkollave, për fëmijët e Veriut të Shqipërisë, ku analfabetizmi po bën kërdinë çdo vit, ai zotëri bashkë me të zotin e tij, me Sali Berishën, e morën vesh vetëm dy javë më parë se librat e shkollës shiteshin dhe nuk faleshin për fëmijët e varfër", tha Rama. Kreu socialist vuri në dukje se ai nuk bënte premtime në këtë fushatë, por merrte angazhime para gjithë shqiptarëve për të realizuar transformimin e madh që i duhet vendit, i cili mund të vijë vetëm me punë. "Ne angazhohemi për një politikë të re, që do të rimëkëmbë arsimin, ku librat e shkollës do t‘i japim falas për çdo fëmijë të varfër. Duke iu thënë të gjithëve që "mes së shkuarës dhe së ardhmes, të zgjedhim të ardhmen, se ndryshimi që duhet, është një ndryshim i madh, se transformimi që duam t‘i japim Shqipërisë është një transformim kolosal", deklaroi ai. Në përfundim, kryesocialisti theksoi se vota më 28 qershor ka një vlerë të jashtëzakonshme për të realizuar programin që u shkrua së bashku në dialogun me Shqipërinë dhe për të ndërtuar me punë Shqipërinë si gjithë Europa.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›