Fushata e trishtë e Edi Ramës
Edi Rama dhe Partia Socialiste me aleatët e saj paralajmërojnë një fushatë negative përgjatë muajve që kanë mbetur deri në zgjedhje, duke e nisur atë pikërisht me përkujtimin politik të një ngjarjeje të rëndë që ndodhi një vit më parë në Gërdec.
Por, a ka efikasitet një fushatë negative në raport me sloganin politik të Ramës, përtej së majtës e së djathtës dhe në raport me fushatën pozitive që pritet të bëjë PD, si një parti që ka qeverisur vendin dhe që ka edhe një bilanc të pranueshëm për të reflektuar pozivitet përgjatë fushatës?
Edi Rama ka deklaruar se i përket politikës së re. Përveç shumë kontestimeve që nuk është e vështirë t’i radhitësh për emrin e tij si një përfaqësues i politikës së tranzicionit në vend dhe për më shumë i politikës arrogante dhe të korruptuar, fakti që ai do t’i referohet përgjatë fushatës një negativiteti sistematik në raport me qeverinë, tregon se politika e re nuk është gjë tjetër veçse një interes tjetër politik. Duke qenë i dhënë pas diskriminimit dhe denoncimit të përditshëm të kundërshtarëve politikë, produkt i kësaj lloj fushate nuk do të jetë toleranca, mendja e hapur, por abuzimi dhe kontestimi i përditshëm. Nëse bazat e një pushteti të supozuar të Edi Ramës do të jenë ato që po kalcifikohen përgjatë fushatës elektorale, sistemi demokratik në Shqipëri është i cenuar seriozisht dhe rrezikon që konceptet e Ramës të instalohen në administratë dhe institucione, duke krijuar situata eksploduese edhe në të ardhmen. Ne kemi pasur raste të zbulimeve të frikshme në personalitetin e Ramës në situata, ku karakteret e fshehta politike dekonspirohen siç ishte ai i votimit të buxhetit të Bashkisë së Tiranës. Ndërkaq një numër i madh mediash në Tiranë vuajnë censurën e komanduar direkt prej tij, duke shtuar këtu edhe rolin e shefit të kuadrit për secilën prej tyre.
Fushata negative e nisur nga Rama dhe e mbështetur edhe nga parti të tjera të majta, si G99 etj., krijon një kontradiktë të madhe me pretendimet për një politikë të re të lidershipit socialist.
Por ndërkaq, kjo lloj fushate është si goditje mbi mur ndaj atyre rezultateve që ka arritur qeverisja e PD-së dhe Berishës përgjatë katër viteve. Që nga viti 1994, kur Shqipëria u pranua në Këshillin e Evropës, vendi nuk kishte arritur asnjë sukses në planin gjeostrategjik, deri me nënshkrimin e MSA-së në 2006 dhe anëtarësimin në NATO edhe formalisht pas tri javësh. Pra, në 12 vite, prej të cilave tetë ishin në qeverisjen e socialistëve, nuk është prodhuar kurrfarë hapi integrues drejt Perëndimit. Është i mjaftueshëm një bilanc i tillë, për të kuptuar substancën e qeverisë së djathtë të Berishës. Ndërsa në planin rajonal, Pavarësia e Kosovës është një tjetër arritje, e cila edhe pse nuk është prodhim i Tiranës zyrtare, përbën besim të Perëndimit tek politikat e saj rajonale.
Kur dalim në zgjedhje nuk shkojmë vetëm për një copë bukë, por edhe për sigurinë se ajo bukë do të jetë e përditshme, e sigurt dhe do të prodhojë shëndet. Prandaj, çfarëdo modeli që del jashtë projektimit të Shqipërisë në këta katër vjet do ta ketë të vështirë të konkurrojë me dinjitet dhe të rendisë me të njëjtën forcë arsyet se pse pushteti duhet të ndërrojë. Nëse shikojmë problemet e Shqipërisë, sot përjashtohen ato etike, që kërkojnë një reformim tërësor të politikës si ai që ndodhi në Itali rreth 20 vjet më parë. Shqipëria ka probleme që vijnë prej menaxhimit të keq shumë e shumë vite, apo për shkak të deformimit të shoqërisë dhe strukturave të ndryshme e veçmas asaj të pronës përgjatë diktaturës. Ajo nuk ka as probleme historike që kërkojnë një model të ri të qasjes në politikë, por ka probleme të performancës politike në një kuadër më të ngushtë sesa ai historik ku përpiqet të qarkullojë Edi Rama. Nëse ky i fundit ka ndonjë model, le ta përballë me atë të PD-së dhe të mos i ikë kësaj përballjeje nëpërmjet fluturimit në teza pa produkt apo nëpërmjet mitingjeve negative dhe përkujtimit të ngjarjeve të trishta.