Zogby dhe partizani i vogël Velo
Në çdo prag fushate apo dhe zgjedhjesh të reja, hamendësitë apo kuotimet se kush mund t’i fitojë ato, sa vijnë e bëhen më interesante. Edhe tek ne ka filluar
që të bëhet si traditë që, përveç hamendësive shqiptare, të prenotohen edhe
kompani të huaja që operojnë me këtë lloj biznesi goxha të majmë. Rasti i
fundit i bërjes publike të fituesve të zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri, nga
një media vizive dhe kompanisë amerikano-libaneze, Zogby International, ndoshta vetëm sa ka shtuar dozën e çorientimit apo dhe të dezinformimit të
shqiptarëve, që e kanë ditur të saktë se kush del fitues, nëse Top-Chanel e
organizon e eksit-pollin.
Para ca kohësh, të dy Erionët, por jo njëherësh, i dolën në mbrojtje një gazete
të njohur amerikane, kinse të sulmuar dhe fyer nga Kryeministri. Po një tjetër
gazetë e njohur amerikane dhe pikërisht “The Wall Street Journal”, si për
koincidencë boton më datë 20 nëntor 2008 një artikull me titull: “Zogby’s
Misleading Poll of Obama Voters” ose thënë troç “Mashtrimi i Zogby-t me votuesit e Obamës”. Dhe më pas, ky shkrim shtjellon më së miri edhe mënyrat
dezinformuese dhe jo të rregullta që nga përzgjedhja e kampionëve e deri tek
leximi i tyre. Nuk ishte hera e parë që kjo kompani e bënte këtë gjë, pasi ajo
ishte identifikuar shpesh edhe me një mori pasaktësish të nxjerrjes apo
përcaktimit të fituesve nëpërmjet sondazheve që ata organizonin. Shembulli më i mirë është gara e shkëlqyer mes demokratëve për President të Shteteve të
Bashkuara të Amerikës, ajo mes Barak Obamës dhe Hillari Klintonit.
Zogby International, në sondazhin e fundit të bërë para zgjedhjeve në Kaliforni,
nxirrte fitues Barak Obamën me një diferencë të konsiderueshme prej 13% ndaj rivales Klinton. Por ndodhi ajo që ndoshta pritej, që në Kaliforni Hillari Klintoni fitoi me një diferencë prej 10%, që po të konvertohet me një marzh gabimi të sondazhit, i bie që të ketë një gabim prej më shumë se 23%! Edhe për
zgjedhjen e Presidentit mes republikanëve dhe demokratëve Zogby International nuk ka bërë një fair play, pasi në shumicën e rasteve ata u bënë palë me
simpatizantët e Xhon Mekejnit.
Jo për të vënë në dyshim assesi atë çka media e Edi Ramës dhe partizanit të
vogël Velo na publikoi, por për të qenë i sinqertë, nuk bindin shifrat që duhet
të kenë bërë një rrugë dyfishe. E para, ato mund të jenë nisur me ndonjë
e-mail nga zyrat e Top-Bashkisë dhe në qendrën e Zogby International në Utika, Nju Jork, vetëm sa janë përkthyer e kumtuar në anglisht e më pas u emetuan në Shqipëri.
Nuk do të ishte çudi me këtë mënyrë të të bërit sondazh, ku gabimet shkojnë
deri në 23% të marzhit, me të cilën i bie që Partia Socialiste jo që i fiton zgjedhjet, por ajo mund të dalë edhe forcë e tretë opozitare pas LSI-së dhe G99-s të partizanit të vogël Velo.