Regjistër kombëtar për pacientët uremikë
Autoritetet shëndetësore në vendin tonë nuk kanë një regjistër kombëtar për pacientët që humbasin funksionin e veshkës.
“Por, projekti INTERREG III në bashkëpunim me rajonin e Puljas në Itali, paralelisht me kryerjen e transplantit të veshkave, kanë nisur të krijojnë pikërisht një bazë të dhënash, që deri tani është llogaritur me përafërsi”, - u shpreh drejtuesi i Drejtorisë së Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë, Bardh Spahia.
Sipas tij, regjistri kombëtar për të sëmurët me veshka do të realizojë një bazë të saktë të dhënash për këta pacientë dhe koston që duhet të përballojë shteti për kurimin e tyre.
“Sëmundjet e veshkave janë të kushtueshme për buxhetin e qeverisë. Një i sëmurë që trajtohet me dializë, i kushton buxhetit të shtetit rreth 10-15 mijë euro në vit. Në vendin tonë buxheti është rritur, sidomos tri vitet e fundit”, - tregoi Spahia.
Duke folur për rëndësinë e parandalimit të sëmundjeve të veshkës, ai theksoi: “Është më mirë të parandalosh sëmundjen e veshkave sesa t'i mjekosh ato".
Ky është edhe slogani i Ditës Botërore të Veshkave (13 mars). “Unë i bëj thirrje sidomos asaj pjese të shoqërisë mbi moshën 30 vjeç, që të paktën 1 herë në vit të kryejnë analizat e urinës për të zbuluar praninë e albuminës, infeksionit, sidomos kur kanë edhe histori familjare, sepse një mjekim i hershëm do të parandalojë sëmundjen”, - tha Spahia.
Ndërkaq, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) në Tiranë, më 26 mars do të kryhet për herë të parë edhe transplanti i veshkave.