Fushata elektorale, ekspertët që do të kalojnë në sitë shpenzimet e partive
Laureta Rryçi
Tiranë - Zbardhet skema se si do të përzgjidhen ekspertët që do të kalojnë në sitë miliona euro që do të shpenzohen për fushatën elektorale për zgjedhjet këtë qershor. Gazeta “Albania” ka mundur të sigurojë udhëzimin e plotë mbi kriteret që duhet të plotësojnë këta ekspertë kontabël dhe përgjegjësitë që do të kenë ata për të zbardhur të gjitha financimet e dyshimta gjatë fushatës. Sipas udhëzimit, do të jetë KQZ-ja që do të merret me përzgjedhjen dhe emërimin e këtyre ekspertëve kontabël. Ekspertët do të kenë detyrë kryerjen e auditimit në mënyrë ligjore, të paanshme, transparente dhe profesionale të fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga subjektet zgjedhore.
Përzgjedhja
Për përzgjedhjen e ekspertëve kontabël fillimisht do të bashkëpunojë KQZ-ja me IEKA-n (institucioni që merret me licencimin e ekspertëve kontabël). Përfaqësuesit e KQZ-së do të kërkojnë listën me emrat e ekspertëve kontabël që janë të licencuar. KQZ-ja paraprakisht do të përzgjedhë një listë prej jo më pak se 20 ekspertësh kontabël të licencuar nga lista e madhe. KQZ-ja, jo më pak se 45 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, organizon shortin për emërimin e ekspertëve kontabël të licencuar. Më pas do të jetë po KQZ-ja që do të bëjë përzgjedhjen e ekspertëve për të audituar çdo parti politike që ka qenë pjesëmarrëse në zgjedhje. Përzgjedhja e ekspertëve për partitë që do të auditojnë do të bëhet me short.
Kriteret
Ekspertët që do të përzgjidhen për këtë mision duhet të përmbushin pesë kritere. Ata duhet të kenë një eksperiencë jo më pak se 5-vjeçare. Nuk duhet të kenë marrë masa disiplinore: vërejtje me shënim në dosje ose pezullim të përkohshëm gjatë ushtrimit të profesionit të ekspertit kontabël. Nuk duhet të jetë zgjedhur më parë në strukturat drejtuese të ndonjë partie politike në pesë vitet e fundit. Të mos ketë qenë kandidat i mbështetur nga ndonjë parti politike po pesë e vitet e fundit. Nuk duhet gjithashtu të ketë qenë kandidat i mbështetur nga ndonjë parti politike apo koalicion në zgjedhjet pararendëse. Së fundi, eksperti kontabël nuk duhet të ketë marrëdhënie krushqie, të afërt ose gjinie deri në shkallë të katërt me kryetarët dhe drejtuesit e tjerë më të lartë të partive politike, të cilat do të jenë objekt i auditimit.
Dokumentacioni që duhet të paraqitet nga ekspertët
Kopje e noterizuar të licencës së ekspertit kontabël, lëshuar nga IEKA, e vlefshme për vitin kalendarik 2009.
Vërtetim nga IEKA, që vërteton se eksperti kontabël ka jo më pak se pesë vjet eksperiencë në fushën e ekspertit kontabël dhe se nuk ka marrë masa disiplinore.
Kopje të noterizuar të dokumentit të identifikimit.
Procedurat e shortit
Përfaqësuesit e subjekteve zgjedhore do të tërheqin secili me radhë një gogël në të cilën ndodhet emri i ekspertit që do të auditojë financimet dhe shpenzimet e fushatës.
Radha e partive që do të tërheqin goglat për të përcaktuar ekspertin do të paracaktohet me një short tjetër.
17 Prill 2009