Mançesteri e Arsenali, biletat e fundit
Mançester Junaitid dhe Arsenali ishin dy “biletat” e fundit të gjysmëfinaleve, duke u bashkuar me Barcelonën e Çelsin midis katër më të mirave të Europës, e që do të diskutojnë trofeun prestigjioz të Ligës së Kampioneve. Mançesteri fitoi 1-0 me Porton, falë golit të jashtëzakonshëm të Kristiano Ronaldos me një gjuajtje nga rreth 30 metra. Takimi i parë në “Old Traford” kishte përfunduar 2-2. Arsenali u tregua i pamëshirshëm në “Emirates”, duke shkatërruar 3-0 spanjollët e Vilarealit. Golat për “Topçinjtë” londinezë u shënuan nga Uallkot, Adebajor e Van Persi (penallti). Takimi i parë në Spanjë kishte përfunduar në barazim 1-1. Gjysëmfinalet: Barcelona-Çelsi, Arsenal-Mançester.
16 Prill 2009