Qeveria bën gati fondin për partitë politike
Ministria e Financave ka gati paratë e buxhetit të shtetit që do të financojnë partitë politike për zgjedhjet e 28 qershorit të vitit 2009. Ky fond pritet të çelet kur partitë politike të kenë dorëzuar pranë KQZ-së të gjithë dokumentacionin përkatës që të mund të përfitojnë financimin që u takon për procesin zgjedhor. Burime zyrtare pranë Ministrisë së Financave thanë se janë gati 61 milionë lekë për t’ua vënë në dispozicion partive politike. Por ende ky fond nuk mund të disbursohet, pasi partitë politike nuk kanë plotësuar dokumentacionin përkatës. Zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, ka thënë se sapo partitë të kenë plotësuar kërkesat e KQZ-së, Ministria e Financave do të çelë fondin. Fondi prej 61 milionë lekësh do të përdoret vetëm për financimin e partive politike. Ndërkohë, për procesin zgjedhor do të jepet një fond tjetër. Komisioni Zgjedhor, në fakt, për gjithë procesin zgjedhor, duke përfshirë infrastrukturën, komisionerët dhe financimin e partive, ka kërkuar një fond prej 7.2 miliardë lekësh. Financimi i partive nga buxheti i shtetit parashikohet me ligj. Subjektet zgjedhore mund të përfitojnë financime nga buxheti i shtetit sipas rregullave të përcaktuara në Kodin Zgjedhor. Sasia e fondeve publike që i shpërndahet secilit prej subjekteve zgjedhore caktohet me anë të dy rregullave. I pari rregull është që 50 për qind e shumës së buxhetit për financim partish ndahet ndërmjet partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore dhe që kanë mandate në Kuvend, ndërsa rregulli i dytë është që 50 për qind e shumës së përgjithshme ndahet midis partive politike të regjistruara si subjekt zgjedhor dhe që në zgjedhjet pararendëse për Kuvendin kanë marrë jo më pak se 3 vende në Kuvend, në raport me votat e marra prej tyre në shkallë kombëtare. Partia që ka përfituar fonde publike sipas rregullit të dytë dhe që nuk fiton asnjë mandat nga zgjedhjet e radhës, duhet të kthejë shumën përkatëse të përfituar. Depozitimi i këtyre shumave bëhet në llogarinë bankare të KQZ-së. Kthimi i fondeve bëhet jo më vonë se 30 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Në rast se partia nuk e kthen fondin, humbet të drejtën e financimeve të tjera nga fondet publike për një periudhë kohe jo më pak se 5 vjet, si dhe nuk regjistrohet si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e radhës, pavarësisht llojit të tyre, as vetëm dhe as si pjesëtare e ndonjë koalicioni.
Dhuratat financiare nuk pranohen nga të huajt
Nëse një partie politike kërkojnë t’i dhurojnë para për t’i përdorur në procesin zgjedhor, ky veprim nuk do të lejohet. Kodi Zgjedhor nuk e lejon një veprim të tillë, dhuratë financiare nga të huajt. Subjektet zgjedhore mund të marrin për qëllime të fushatës së tyre zgjedhore fonde vetëm nga persona fizikë ose juridikë vendas, por jo nga të huaj. Shuma që çdo donator mund të japë nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë ose kundërvlera në sende ose shërbime. Ndryshimi në Kodin Zgjedhor ka sanksionuar që asnjë subjekt që ka lidhje me shërbimet shtetërore nuk mund të japë dhurata për partitë politike. Donatorët ndalohen të japin financime në rast se ka përfituar fonde publike, kontrata publike apo koncesione në 5 vitet e fundit me vlerë mbi 10 milionë lekë, ushtron aktivitet në fushën e medias, ka qenë partner me fonde publike në projekte të ndryshme apo ka detyrime monetare ndaj buxhetit të shtetit, ose ndaj çdo institucioni publik. Çdo subjekt zgjedhor duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, miratuar si model me vendim të KQZ-së, shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin qartë të dhuruesit. Lista e personave që dhurojnë shuma jo më pak se 100 mijë lekë si dhe vlera përkatëse duhet të bëhet kurdoherë publike. Dhurimi i fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 50 mijë lekë duhet të bëhet vetëm në një llogari të posaçme të hapur në një bankë nga subjekti zgjedhor. Numri i llogarisë bankare për çdo subjekt politik publikohet në faqen zyrtare të KQZ-së. Shpenzimi total që mund të kryejë një parti politike, përfshirë edhe kandidatët e tyre, për një fushatë zgjedhore nuk duhet të kalojë 10-fishin e shumës më të madhe që një subjekt zgjedhor ka marrë nga fondet publike. Shpenzimi total që mund të kryejë kandidati i propozuar nga zgjedhësit nuk duhet të kalojë 50 për qind të shumës më të madhe që një subjekt zgjedhor ka marrë nga fondet publike.
17 Prill 2009